AGK-ja nderon gazetarë, kameramanë e fotoreporterë që raportuan në rrethana okupimi

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), në 25-vjetorin e çlirimit, ka ndarë mirënjohje për gazetarë, kameramanë e fotoreporterë, për punën dhe kontributin e tyre në  rrethana të okupimit para dhe gjatë luftës në Kosovë.

Fjalën hyrëse të ceremonisë e mbajti Kryetari i Bordit, Xhemajl Rexha, i cili u shpreh falënderues e mirënjohës për punën shembull që gazetarët, kameramanët e fotoreporterët e kanë dhënë në atë kohë.

“Ajo çfarë AGK-ja, dëshiron të tregojë me këtë event, është qe e cmojmë, e njohim punën e kontributin e secilit në periudhën më të vështirë të Kosovës. Të secilit, që ndoshta ka bërë punë nga më të voglat në redaksi e deri tek ato në terren, dhe me ballafaqimin me rrezikun e përhershëm. Ju jeni inspirim për gjenerata të tëra gazetarësh”, ka thënë Rexha.

Të pranishmëve iu drejtuan edhe gazetarja Afërdita Saraçini Kelemendi, moderatorja Besa Çeku Buçinca, Nuhi Bytyçi – gazetar i luftës , Sylejman Kllokoqi – fotoreporter i AP , Visar Kryeziu – kameraman i AP, Hazir Reka –fotograf i Reuters, si dhe Ron Haviv – fotografi i mirënjohur botëror i cili ka qenë dëshmitar i ngjarjeve historike që kanë definuar kohën në të cilën jetojmë, nga Kosova, Bosnja, Ukraina, etj.

Saraçini Kelmendi, tha se gazetarët në atë kohë kanë bartë me vete frikën për jetë e familje.

“Gazetaria më e bukur për mua është gazetaria e terrenit për shkak se aty takon njerëz, fate të cilat të japin përvoja jetësore, në këtë rrugëtim 45-vjeçar i kam hypur 44 shkallë të gazetarisë, gazetaria për mua nuk është vetëm profesion është edhe mënyrë e jetesës. Të gjithë gazetarët që kanë punuar para dhe gjatë luftës kemi bartur edhe frikën për jetën, familjen”, tha ajo.

Fotoreporteri, Sylejman Kllokoqi, falënderoi kolegen Elida Ramadanin, me të cilën kanë ndarë shumë terrene, si dhe gazetarët botërorë që kanë raportuar nga Kosova.

“Iu dëshiroj gjeneratave sukses, por të iu them se ne e kemi pasur detyrë por një falënderim shkon për gazetarët qe kanë ardhur nga gjithë bota”, tha Kllokoqi.

Zëri ikonë i lajmeve, Besa Çeku Buçinca, tha se çmon lartë kontributin e kolegëve gjatë kohës së luftës.

“Të dashur kolegë, shumë pak janë të informuar për punën tonë dhe aq më pak e vlerësojnë atë ne kohët e vështira, detyra jonë ishte që të informonin, informimi që barte shumë rrezik, gazetarët kanë kaluar në rreziqe të shumta, megjithatë e vlerësoj shumë punën e gazetarëve në terren.”

Fotoreporteri amerikan, Haviv falënderoi AGK-në për ftesën e bërë për të folur në emër të gazetarëve, kameramanëve e fotoreporterëve ndërkombëtarë që kanë raportuar nga Kosova në atë kohë. Teksa, ndau me të pranishmit një takim menjëherë pas luftës me zv.presidentin Al Gore, kur kishin diskutuar për impaktin e punës së gazetarëve në Kosovë.

“Derisa i tregova për punën time që kisha bërë në Kosovë, ai më pyeti se përse ShBA-të, intervenuan më shpejtë në Kosovë, sesa në Bosnjë e Hercegovinë. Është për shkak të gazetarisë që prodhohej nga Kosova, sepse ata, ai(Al Gore), Tony Blair, Bill Clinton, ishin të turpëruar të shihin të njëjtat fotografi si në Bosnjë, duke lexuar të njëjtat histori..., dhe intervenimi në Kosovë, është një nga të paktat storie, të paktën në mendjen time, që gazetaria luan një rol të rëndësishëm, e direkt në atë se se çka ka ndodhur këtu.”, tha ai.

Në këtë ceremoni, me mirënjohje u nderuan mbi 400 gazetarë, kameramanë e fotoreporterë, nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia e Veriut, si dhe ata ndërkombëtarë që kanë raportuar në atë kohë nga Kosova.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, e vlerëson pjesëmarrjen e gjithsecilit në ceremoninë e sotme, dhe do ta plotësojë listën e atyre që do t’i ndajë mirënjohje në ditët në vijim.