Rama refuzoi ta takojë Kurtin, Qeveria e Kosovës jep detaje

Kryeministri Albin Kurti dhe kryeministri Edi Rama duket se vazhdojnë t’i kenë raportet “kurrëfare”. Edhe pse sot ka ardhur në Prishtinë, Rama nuk do të ketë takim me homologun e tij, kryeministrin Albin Kurti.

Agjenda e publikuar nga Zyra e Kryeministrit Kurti në orët e mëngjesit nuk e ka pasur takimin me Ramën në listën e aktiviteteve ditore të Kurtit.

Mediumi A2CNN ka publikuar një “reagim” të zëdhënësit të Qeverisë Përparim Kryeziut, i cili ka komentuar për takimet e deritashme të Ramës, atë me Osmanin dhe paraqitjen e kryeministrit shqiptar në Konferencën e LDK-së për Rugovën dhe Perëndimin.

Në komentin e Kryeziut nuk ka munguar ironia.

“Në bazë agjendës së deritanishme, duket që në Prishtinë kryeministri i Shqipërisë, Rama, po i takon ata me të cilët konsideron që ka nevojë t’i rregullojë raportet”, thuhet në reagim.

Sipas Kryeziut, Kurti e ka ftuar Ramën në një takim tjetër, më 12 qershor. Sipas tyre, Zyra e Ramës ka thënë se ai nuk mund të jetë i pranishëm më 12 qershor.

“Në anën tjetër, kryeministri Kurti, Zyra e tij, e ka ftuar kryeministrin Rama në aktivitetet që shënojnë 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës më 12 qershor. Kryeministri Rama, përkatësisht Zyra e tij, na ka njoftuar që nuk do të mundë të jetë i pranishëm më 12 qershor. Ai është i mirëseardhur t’u bashkëngjitet aktiviteteve të agjendës shtetërore. Urojmë që vjen në Manifestimin e 146-të vjetorit të Lidhjes së Prizren, sepse Lidhja e Prizrenit nuk është vetëm e Kosovës”, thuhet në reagimin e zëdhënësit të Qeverisë.