Fevziu: Rugova krijoi ëndrrën e një Kosove të pavarur

Gazetari nga Shqipëria, Blendi Fevziu, ka folur rreth rolit të presidentit historik dr. Ibrahim Rugova rreth ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës.

Fevziu tha se Rugova “krijoi ëndrrën e një Kosove të pavarur”.

“E para ishte ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës dhe dalja nga izolimi i plotë në territor, në një publik ndërkombëtar në kancelaritë evropiane. E dyta që është unike në gjithë globin, është ndërtimi i sistemit paralel. Të arrije të mblidhje taksat te shqiptarët në 100 shtetet e botës, kuptohet i jepnin me dëshirë. Por, të ndërtosh një sistem paralel pa pasur asnjë mjet financiar, duke pasur një sabotim të sistemit asokohe të Serbisë, është një mrekulli”, tha ai.

“Një gjë është e sigurt. Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk do të kishte dalë pa rezistencën paqësore dhe organizimin e shqiptarëve dhe kjo është e sigurt. Por, nga ana tjetër as rezistenca paqësore do të ishte e pamjaftueshme për të çuar drejt një Kosove të pavarur”, theksoi ndër të tjera autorit i emisionin Opinion.

Përveç tij, në panelin e dytë po marrin pjesë edhe gazetari dhe autori i emisionit “Rubikon”, Adriatik Kelmendi, gazetari Eugen Saraçini dhe ish-ministri dhe themeluesi i Institutit për Marrëdhënie me Jashtë, Alush Gashi.

Sot Lidhja Demokratike e Kosovës, për nder të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës, po e mban konferencën ndërkombëtare me temën “Rugova dhe Perëndimi”.