Aktakuza e Prokurorisë Speciale, kush janë tetë të akuzuarit për korrupsion dhe për çka bëhet fjalë?

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj tetë personave, ish-zyrtarë të Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB).

Ata akuzohen për korrupsion dhe çështja për të cilën Prokuroria thotë se ka dyshim të bazuar mirë se ata e kanë keqpërdorur detyrën zyrtare lidhet me një objekt afaristo-banesor në lagjen “Lakrishtë” në kryeqytet.

Ish-kryeshefi i kësaj ndërmarrjeje, Hajdar Hoxhaj, ish-aksionari si përfaqësues i Komunës së Prishtinës, Dren Kukaj dhe ish-aksionarët e tjerë të NPB-së, Vesel Makolli, Genc Sherifi, Lendita Mekuli Myderrizi, Arbnora Jashanica, Xhevdet Leci dhe Bekim Pireva janë në listën e të akuzuarve të Prokurorisë për këtë rast.

Për ish-kryeshefin e NPB-së, Hajdar Hoxhajn, Prokuroria Speciale thotë se “ngarkohet edhe me akuzën për kryerjen e veprës penale ‘Lidhja e Kontratës së dëmshme’”.

Prona e cila është objekt i akuzës, duke u bazuar në Kërkesën e Prokurorisë, është sekuestruar nga Gjykata dhe në bazë të Aktakuzës, Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës ta konfiskojë atë dhe e njëjta t’i kthehet sërish pronës publike.

Prokuroria Speciale para një viti kishte kryer bastisje në lokacione të ndryshme, në kuadër të hetimeve për dhënie në shfrytëzim të tokës së NPB-së për një konzorcium të kompanive private, për të ndërtuar banesa e lokale afariste në vlerë të 120 milionë eurove.