Simbol i përmbylljes së luftës për të shkuar te liria, thotë Konjufca për Blairin

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk konjufca, ka thënë se prania e Tony Blairit në 25-vjetorin e çlirimit të vendit e përplotëson domethënien e kësaj date.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, kryeparlamentari Konjufca tutje u shpreh se Blairi është simbol i përmbylljes së luftës për të shkuar te liria.

“Prania e Tony Blairit në 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës e përplotëson domethënien e kësaj date të shënuar. Ishte kënaqësi shumë e madhe ta prisja ish-kryeministrin britanik për vizitë, këtë mik të madh të Kosovës dhe të bisedonim mbi ato ngjarje të vitit 1999, që shënuan kthesë për fatin e popullit shqiptar në Kosovë, që prodhuan efekte të mëdha sa i përket edhe aspektit ndërkombëtar, vështruar nga pozitat e drejtësisë, humanizmit, sigurisë, të drejtave, vlerave dhe interesave strategjike perëndimore. Mbështetja dhe përpjekja e palodhur e Blairit dhe Britanisë së Madhe ishin ndër faktorët kyçë për të shkuar deri te përfshirja e NATO-s përbrenda dhe përkrah luftës sonë të drejtë e çlirimtare, kundër Serbisë dhe krimeve të saj monstruoze ndaj popullit shqiptar në Kosovë. Ai është simbol i përmbylljes së luftës për të shkuar te liria”, shkroi Konjufca.

Tutje, kryekuvendari tha se e ka falënderuar Blairin për vizitën dhe i ka shprehur mirënjohje të thellë për kontributin e tij.

“E falënderova për vizitën dhe i shpreha mirënjohje të thellë për kontributin e tij të shquar e të vazhdueshëm, duke theksuar se ardhja e tij në Republikën e Kosovës është gëzim në zemrat e çdo shqiptari. Blairi më falënderoi për pritjen duke u shprehur i lumtur që ndodhet në vendin tonë në këtë përvjetor të shënuar të çlirimit. Po ashtu, më shprehu mbështetjen e tij për Republikën e Kosovës, për rrugën e saj të integrimeve, të përparimit të gjithanshëm dhe kontributit në sigurinë dhe stabilitetin rajonal”, tha tutje Konjufca.