Konjufca: Miku i madh Blair dha kontribut të jashtëzakonshëm në ditët më të vështira të popullit të Kosovës
Kryeparlamentari Glauk Konjufca i tha ish-kryeministrit britanik Tony Blair që të ndihet si në shtëpinë e tij, në seancën solemne parlamentare.
Para se ta ftonte për të folur para deputetëve, Konjufca tha se ky parlament është edhe i Blairit, i cili luajti një rol të rëndësishëm për çlirimin e Kosovës në vitin 1999.
“Jeni gjithmonë i mirëseardhur në Kosovë dhe duhet të ndiheni, e nuk kam kurrfarë dyshimi që ndiheni po sikur në shtëpinë tuaj, prandaj edhe kjo foltore, edhe ky parlament është juaji”, tha Konjufca.
Ai tha se Blair dhe figurat e tjera e ndalën gjenocidin në Kosovë.
“Ne jemi të gjithë të nderuar, zonja dhe zotërinj, të dashur kolegë, ta kemi të pranishëm mikun e madh të Kosovës, njeriun i cili në çdo pozitë në të cilën ishte, e sidomos për 10 vjet sa ishte kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar, dha një kontribut të jashtëzakonshëm në ditët tona më të rënda si popull”, tha Konjufca.