25-vjetori i çlirimit, Tony Blair mban sot fjalim në Kuvendin e Kosovës

Ish-kryeministri i Britanisë së Madhe gjatë kohës së luftës në Kosovë, Tony Blair, sot do t’u drejtohet me një fjalim deputetëve të Kuvendit të Kosovës, nga ora 10:00.

Para seancës, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani pret në takim Tony Blairin, ish-kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar. Pas përfundimit të takimit, Osmani dhe Blairi do të deklarohen për media.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pret në takim ish-kryeministrin britanik, Tony Blair.

Gjatë kohës së bombardimeve të NATO-s, më 1999, Blairi ka qenë kryeministër i Britanisë së Madhe.

Ai, bashkë me ish-presidentin amerikan Bill Clinton, konsiderohen si mbështetësit më të mëdhenj të Kosovës në atë kohë.

Në shenjë admirimi për kontributin që ka dhënë, në Kosovë u është vënë emri i tij disa fëmijëve të lindur pas luftës, e të cilët tash janë në moshën 25-vjeçare.