Kryeministri Kurti: Krimet e Serbisë nuk falen

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se populli i Kosovës i është mirënjohës mbështetjes ndërkombëtare në luftën e fundit, duke thënë se krimet e Serbisë nuk harrohen e as nuk falen.

"Sot u bënë 25 vite nga dita e nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës, e cila i dha fund luftës në Kosovë, në rrafshin ushtarak e teknik dhe në atë juridik e ndërkombëtar. Më 9 qershor 1999, në Kumanovë u nënshkrua Marrëveshja Tekniko-Ushtarake mes Forcës Ndërkombëtare të Sigurisë (KFOR) dhe qeverive të Republikës Federative të Jugosllavisë dhe Republikës së Serbisë", ka shkruar ai në "Facebook".

Sipas tij, rruga për negociata u shtrua pasi Republika Federative e Jugosllavisë e pranoi më 3 qershor planin e paqes të ofruar nga i dërguari i Bashkimit Evropian, Presidenti i Finlandës, Martti Ahtisaari dhe i dërguari i Rusisë, ish-kryeministri Viktor Chernomyrdin. Plani parashihte tërheqjen e të gjitha trupave të armatosura serbe nga Kosova dhe hyrjen e paqeruajtësve në Kosovë nën një mandat të OKB-së.

"Më 7 qershor, negociatat në Kumanovë ishin pezulluar pasi palët nuk po pajtoheshin për kushtet e marrëveshjes. Pas rifillimit të negociatave, në marrëveshjen e arritur më 9 qershor 1999, ishte vendosur që të gjitha forcat e armatosura serbe dhe jugosllave, pra njësitet ushtarake, policore dhe të tjera, të tërhiqeshin plotësisht nga territori i Kosovës deri më 20 qershor. Andej kufirit, u caktua një hapësirë prej 25 kilometrash si Zonë e Sigurisë Ajrore dhe një hapësirë prej 5 kilometrash si Zonë e Sigurisë Tokësore, brenda të cilave ndalohej hyrja e forcave serbe dhe jugosllave. Gjatë tërheqjes së tyre nga Kosova, forcat e armatosura serbe kryen krime deri në orët e fundit, sikur që janë rastet e vrasjeve të civilëve në komunën e Podujevës, prej nga u tërhoqën drejt Merdarës më 19 qershor", tha a Kurti.

Duke shtuar se Marrëveshja e Kumanovës u arrit pas 78 ditësh bombardime të 19 shteteve të NATO-s mbi Jugosllavi; pas gati dy vitesh luftë me qindra masakra dhe mbi 10 mijë viktima civile; dhjetë vite pasi Serbia ia kishte suprimuar autonominë Kosovës më 1989 dhe 86 vite pas pushtimit fillestar të Kosovës nga Serbia më 1912/1913. Marrëveshja e Kumanovës u nënshkrua në emër të KFOR-it nga Gjeneral Michael David Jackson, kurse në emër të qeverisë së Jugosllavisë dhe në emër të qeverisë së Serbisë, nga Gjeneral Svetozar Marjanoviq nga Ushtria Jugosllave dhe nga Gjeneral Obrad Stefanoviq, nga Ministria e Punëve të Brendshme.

"Bombardimet e NATO-s mbi Jugosllavi pushuan më 10 qershor 1999. Një ditë më pas, më 11 qershor, ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës hynë në Prishtinë, kurse po atë ditë ushtarët e KFOR-it filluan të hyjnë në Kosovë. Gjatë dhjetë ditëve në vijim të gjitha forcat e armatosura serbe dhe jugosllave e lëshuan territorin e Kosovës. Pas shumë vuajtjesh nën regjimet e Serbisë pushtuese, Kosova u çlirua dhe populli i saj nisi ndërtimin e një etape krejt të re historike. Duke i kujtuar ditët e fundit të luftës në Kosovë dhe ditët e para të çlirimit të Kosovës nga Serbia pushtuese. Sepse populli dhe shteti i Kosovës janë mirënjohës e falenderues për ndihmën dhe mbështetjen ndërkombëtare teksa nuk harrojnë dhe nuk falin krimet e Serbisë!", tha Kurti.