Sunaku fshihet nga gazetarët, konservatorët mohojnë se ai do të largohet
Kryeministri britanik Rishi Sunak, i është shmangur gazetarëve ndërsa vazhduan reagimet për largimin e hershëm nga ngjarjet në Normadi për të përkujtuar 80-vjetorin e D-Day.
Ai i është shmangur përgjigjes së pyetjeve të gazetarëve që nga pasditja e së premtes, shkruan Mirror.co.
Sunak bëri fushatë në Bedale në North Yorkshire, afër zonës së tij elektorale, pasditen e sotme, por mediat nuk u ftuan.
Ministri i kabinetit Mel Stride këmbënguli se lideri nuk do ta hedhë peshqirin para ditës së votimit.
I pyetur nëse Sunak do ta udhëheqë partinë në zgjedhje, Sekretari i Punës dhe Pensioneve tha: “Absolutisht. Dhe nuk ka pasur asnjë pyetje për asgjë tjetër përveç kësaj”.
Ministri këmbënguli se kryeministri është patriot, dhe se e kupton peshën e ngjarjes nga e cila u largua herët.
“Unë e njoh shumë mirë Rishin. Në fakt, e konsideroj atë si mik. E di që ai është një person thellësisht patriotik. Ai kujdeset shumë për këtë vend. Unë e di se ai do ta ndiejë këtë shumë thellë… Sigurisht që ai e kuptoi peshën e kësaj ngjarjeje”, tha ai për Sky News.