Turqia reagon pas operacionit të fundit të Izraelit për lirimin e robërve të tij
Turqia e ka quajtur operacionin e Izraelit për lirimin e robërve të tij një “sulm barbar” me të paktën 226 palestinezë të vrarë.
“Me këtë sulm të fundit barbar, Izraeli ka shtuar një të ri në listën e krimeve të luftës që ka kryer në Gaza”, tha Ministria e Jashtme në Ankara, shkruan Al Jazeera.
Gjatë operacionit të ushtrisë izraelite për lirimin e katër robërve, kampi i refugjatëve Nuseirat u vu nën sulme të rënda ajrore dhe zjarr artilerie, duke çuar në viktima dhe plagosje masive.
Ushtria izraelite tha se po verifikonte raportet dhe zëdhënësi i ushtrisë Daniel Hagari tha se kishte më pak se 100 viktima.
Sulmet izraelite në Gaza kanë vrarë 283 persona dhe kanë plagosur 814 vetëm në 24 orët e fundit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës.
Shumica dërrmuese e atyre viktimave – 274 të vrarë dhe 698 të plagosur – u shkaktuan nga operacioni i Izraelit në Nuseirat, tha ministria.
Forcat izraelite pretenduan se kishin liruar katër robër gjatë operacionit.
Po sipas ministrisë, viktimat e fundit e sjellin numrin e përgjithshëm të vdekjeve të Gazës që nga 7 tetori në 37,084 të vrarë dhe 84,494 të plagosur.
Ndërkohë, kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani ka thënë se lufta e Izraelit ndaj Gazës përfaqëson një “pikë kthese në historinë e Lindjes së Mesme dhe botës”.
Kryediplomati i vendit ndërmjetës në konflikt i bëri këto komente gjatë një takimi të vendeve të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit.
“Ne jemi ende duke pritur që bashkësia ndërkombëtare të ndalojë luftën…”, citohet të ketë thënë Al Thani, duke shtuar se GCC duhet të shtyjë për një armëpushim të përhershëm.
“Shteti i Katarit ka punuar që nga tetori i kaluar së bashku me partnerët e tij rajonalë dhe ndërkombëtarë për të arritur një armëpushim të përhershëm dhe për të zgjidhur krizën për të parandaluar hapjen e fronteve të tjera në rajon”.