“Kemi një kryeministër që nuk kryen punë”, opozita kritikon Kurtin se po ndryshon vazhdimisht deklaratat

Themelimi i Asociacionit vazhdon të jetë kërkesë e vazhdueshme e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por Kosova e Serbia nuk po arrijnë të pajtohen në këtë aspekt.

E partitë opozitare në vend, po vlerësojnë se kryeministri Albin Kurti nuk është i interesuar ta qojë përpara dialogun me Serbinë.

Nga LDK-ja konsiderojnë se kreu i ekzekutivit nuk është i njëjtë në deklaratat që thotë.

“Ju e dini që asnjëherë nuk e thotë deklaratën e njëjtë, ju e dini që ka thënë do ta bëjmë një draft-statut vet, ju e dini që ka thënë nuk do të pranojmë dokument nga Lajçaku, e pranoi dokumentin nga Lajçkau, tash po thotë që Lajcaku ta dërgon draftin e Asociacionit në komisionin e Venecias, ndërsa ne e bëjmë një draft Asociacion tjetër. Kjo është shqetësuese për vendin sepse kemi një kryeministër që nuk kryen punë, por i ndryshon qëndrimet e veta” , ka thënë deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi.

Nga kjo parti thonë se kryeministri Kurti e ka pranuar draftin e Asociacionit të përpiluar nga BE-ja.

“Nëse i referohemi marrëveshjes së Ohrit, aty ka të bëjë me asociacion përtej asociacionit që ka të bëjë me kompetenca ekzekutive, pra me u themelu një shtet i Serbisë brenda Kosovës”, ka thënë ajo.

Por nga partia në pushtet mohojnë një gjë të tillë.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha thekson se kërkesë e kryeministrit Kurti është të ketë Asociacion pa kompetenca ekzekutive.

“Draft-statuti duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në Kosovë, që rrjedhimisht nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive as të nivelit lokal as të nivelit qendrorë për arsyeje se, atëherë bëhet një nivel i ndërmjetëm që nuk lejohet me kushtetutën e Kosovës, por duhet të jetë një Asociacion i cili mbron dhe promovon, vlerat, trashëgiminë kulturore e gjuhësore të komuniteteve të caktuara. Por që po shohim rezistencë nga ndërkombëtarët ose skepticizëm dhe këtu është bllokuar” , ka deklaruar ai.

Deri më tani, sipas Batushës, draftin e Asociacionit, nuk e kanë parë as deputetët.

“Tash e kemi një draft-statut i cili është i ndërmjetësuesit për të cilin ne deputetët ende nuk e kemi parë zyrtarisht dhe i cili po pretendohet të na imponohet e për të cilin nuk e di se si mund të ecet tutje për derisa deputetët nuk e kanë parë”, tha ai.

Ditë më parë kryeministri, kryeministri Kurti ka thënë se drafti i Asociacionit i përgatitur nga emisari i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak, duhet të dërgohet në Komisionin e Venecias për shqyrtim. /Teve1