Temperaturat e larta, AUV-i kërkon nga qytetarët të kenë kujdes me këto produkte ushqimore
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) bën thirrje që qytetarët të kenë kujdes me ushqimet sidomos tash që temperaturat janë ngritur.
Zëdhënësi i AUV, Lamir Thaçi në një intervistë, ka thënë se konsumatorët gjithmonë duhet shikuar datën e skadencës, dhe po ashtu kushtet e ruajtjes së produktit.
“Secili konsumator, kur e blen një produkt, gjithmonë duhet ta shikojë datën e skadencës, ta lexojë përmbajtjen apo etiketën e produktit dhe në të shkruan edhe kushtet e ruajtjes, apo temperaturat në të cilat duhet të ruhet ai produkt. Gjithmonë, ruajtja do të duhet të bëhet në temperaturën që është në etiketën e produktit. Në qoftë se produkti dëshiron të jetë i sigurt deri në datën e skadencës, në qoftë se nuk është ruajtur në kushte adekuate, atëherë data e skadencës nuk ka vlerë, sepse produkti është kontaminu nga një faktor tjetër”, është shprehur ai.
Gjithashtu, Thaçi tha se konsumatorët duhet të bëjnë kujdes edhe gjatë ruajtjes së ushqimeve në shtëpitë e tyre, ku përfshihet edh higjiena në kuzhinë, në mënyrë që mos të vijnë deri të kontaminimi i produktit.
Thaçi po ashtu tregoi se si duhet ruajtur produktet e mishit dhe ato të qumështit.
“Në sezonin e verës, të gjitha produktet me origjinë shtazore, qumështi nënproduktet dhe qumështi mishi nënproduktet e mishit gjithmonë kërkojnë kushte frigoriferike të ruajtjes. Në qoftë se janë të freskëta, temperaturat duhet të jenë deri në katër gradë, në qoftë se janë të ngrira, duhet të jenë nën minus tetëmbëdhjetë gradë celsius dhe gjithmonë ato janë të shënuara në tiketë. Tash secili produkt është e kategorisë së veçantë dhe e ka specifikume temperaturën e ruajtjes dhe qytetarët duhet të bëjnë kujdes”, bëri të ditur ai.
Po ashtu, ai tha se konsumatorët duhet të jenë të kujdesshëm kur blejnë produktet ushqimore, që mos t’i lenë në vetura, pasi tash janë temperaturat e larta dhe mund të kontaminohen produktet në afat shumë të shkurtër kohor.
Në intervistë, ai tha se kur produktet nuk plotësojnë kriteret për tregtim, atëherë konfiskohet produkti.
“Në secilin rast, kur një produkt nuk i plotëson kriteret ligjore për tregtim, fillimisht konfiskohet, ndalohet për qarkullim pastaj asgjësohet. Dhe ndaj secilit person, qoftë ai fizik apo juridik, i cili vendos në treg produkte të dyshimta gjithmonë iniciohet fletëparaqitje për gjykatë dhe pastaj gjykata është ajo që vendos për masën apo lartësinë, peshën e dënimit që do ta shqiptojë ndaj palës. e ndaj të cilës iniciohet procedura”, theksoi ai.
Tutje, ai tha se në secilin rast, kur ekipa inspektuese vlerëson se operatori ekonomik nuk i plotëson kushtet minimale për të operuar për veprimtarinë, të cilën është duke ushtruar operim ekonomik , atëherë menjëherë vendoset mbyllja e përkohshme e atij operatori.
Thaçi gjithashtu ka treguar se ushqimet në Kosovë kontrollohen njëjtë si në vendet e rajonit dhe BE-së. /telegrafi