Arrestohet shoferi i ambulancës që transportonte trupin e Eraldo Nevruzit, xhiroi trupin e tij

Është arrestuar shoferi i ambulancës që transportonte trupin e pajetë të Eraldo Nevruzit, i cili u vra në një hotel të Dhërmisë.

Sipas Policisë së Shtetit, ai u arrestua për faktin se ka xhiruar trupin e të ndjerit.

“Në vijim të veprimeve hetimore që po kryhen nga grupi hetimor për dokumentimin e plotë ligjor të vrasjes së shtetasit Eraldo Nevruzi., grupi hetimor ka marrë informacion se shoferi i autoambulancës që po transportonte për në morgun e Vlorës trupin e shtetasit E. N., i cili u vra me armë zjarri nga shtetasi G. Sh., kishte filmuar me aparat celular trupin e pajetë për t’ua dërguar burimeve mediatike me qëllim publikimin”, thuhet në njoftimin e policisë.

“Bazuar në këtë informacion, shtetasit A. I., 62 vjeç, me detyrë shofer i ambulancës së morgut, i është bërë këqyrja e aparatit celular nga grupi hetimor, ku i janë gjetur pamjet filmike të trupit të shtetasit E. N., të cilat ua kishte dërguar burimeve mediatike me qëllim publikimin”.

“Në vijim të veprimeve, u bë ndalimi i shtetasit A. I., 62 vjeç, me detyrë shofer i ambulancës së morgut Vlorë, për veprën penale “Zbulimi i akteve dhe të dhënave sekrete”.

“Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë falënderon gazetarët që nuk pranuan të publikonin videon e dërguar nga ky shtetas të trupit të pajetë të shtetasit E. N”.