Brestovci: Do të gjobiten qytetarët që nuk i respektojnë rregullat për hedhjen e mbeturinave

Komuna e Prishtinës është duke investuar për krijimin e kushteve optimale për grumbullimin dhe hedhjen e mbeturinave në kryeqytet.

Mirëpo, drejtori i Shërbimeve Publike në Prishtinë, Bekim Brestovci, ka thënë se pas krijimit të kushteve, qytetarët e Kryeqytetit do të gjobiten nëse nuk i respektojnë rregullat për hedhjen e mbeturinave.  

“Me kohën do të fillojmë edhe t’i gjobisim ata që nuk sillen përgjegjshëm me mbeturinat, mirëpo ne jemi duke punuar intensivisht, fillimisht që t’i krijojmë të gjitha kushtet për qytetarët që ata të kenë mundësi që mbeturinat t’i hedhin aty ku i takon për t’i hedhur. Deri më tani fatkeqësisht nuk e kanë pasur, tani jemi në një krijim të një trendi të tillë ku qytetarët do të kenë mundësi pastaj t’i hedhin mbetjet e amvisërisë në kontejner të dedikuar për mbetjen e amvisërisë, mbetje vëllimore në kontejnerët e dedikuar për mbetje vëllimore dhe ato ndërtimore në kontejnerët e dedikuar për mbetjet ndërtimore. Nëse pastaj do të kemi prapë qytetarë të pandërgjegjshëm ose të papërgjegjshëm më mirë me thënë, atëherë natyrisht që do të gjobiten konform rregulloreve që i kemi në fuqi”, ka thënë Brestovci.

Megjithatë, Brestovci ka thënë se gjendjen shumë të rëndë që e kanë pasur, tashmë veçse e kanë sanuar.

“U bë më tepër se një muaj që ne i kemi shpërndarë 1370 kontejnerë të rinj në lokacione të ndryshme të kryeqytetit. Tani jemi duke proceduar edhe me një procedurë të re, për blerjen edhe të një kontigjenti të dyte, të kontejnerëve, për t’i pajisur të gjitha lokacionet të cilat kanë mbetur të pa pajisura. Mirëpo, ndërkohe po bëhet edhe një muaj edhe më shumë, që kemi angazhuar edhe një operatorë ekonomik shtesë, i cili tani po e ndihmon ndërmarrjen “Pastrimi” në kryerjen e shërbimit ndaj qytetarëve dhe siç po shihet gjendja në terren, ia kemi dalë bukur mirë që ta sanojmë një gjendje të keqe që e kemi pasur dhe ta krijojmë një fotografi krejt ndryshe të kryeqytetit”, theksoi ai.

Ai tha se do të krijojnë kushte edhe për hedhjen e mbetjeve vëllimore, kryesisht me mobilieri të cilat hedhen pranë lokacioneve që janë të dedikuara për mbeturinat e amvisërisë.

“Problemin që ne akoma e kemi që tani po përpiqemi ta luftojmë përmes një procedure të re të tenderimit është me mbetje vëllimore, do të thotë kryesisht me mobilieritë, të cilat tani për tani hedhën pranë lokacioneve të cilat janë të dedikuar për mbetje të amvisërisë, e njëkohësisht edhe për mbetje ndërtimore, të cilën qytetarët tanë pastaj në pamundësi për t’i hedhur diku tjetër, i hedhin në afërsi të lokacioneve të mbetjeve të amvisërisë. Kështu që tani jemi në një procedurë të re, për shpallur një tender të ri, Prishtinën pretendojmë ta ndajmë në gjashtë zona, dhe një ditë e javës të jetë e dedikuar, për një zonë të caktuar, ku ne do t’i vendosim pastaj përmes operatorit ekonomik privat 15 kontejnerë në atë lokacion, qytetarët do të kenë mundësi pastaj në ditën e caktuar për atë zonë që brenda ditës t’i hedhin mbetjet vëllimore dhe ndërtimore në kontejnerë të dedikuar për këtë çështje dhe pastaj të gjitha ato do grumbullohen në mbrëmje. Besoj që me këtë pjesë kur të përmbyllet do të kemi një zgjidhje goxha të mirë dhe qyteti do të ketë pastërtinë që e meriton”, shtoi Brestovci.

Brestovci flet edhe për qentë endacak, një problem tjetër për kryeqytetin tash e sa vjet.

Ai ka thënë se deri me tani janë adaptuar më shumë se 300 qenë endacak, derisa janë duke e krijuar edhe një qendër evakuimi emergjentë në Hajvali për qentë endacak.

“Nëse nuk gaboj kemi deri më tani më tepër se 300 qenë të cilët janë dhënë për adaptim, kemi një numër të madh të qytetareve të cilët kanë treguar interes për të adoptuar, tutje e kemi një listë bukur të gjerë të atyre, disa prej tyre tanimë veç kanë filluar të punojnë në krijimin e kushteve për adaptim të qenve endacak në paralel po krijojmë edhe qendrën për evakuimin emergjent të qenve në një zonë të Hajvalisë ku do të kemi mundësi të strehojmë 300 qenë. Kështu që pretendimi jonë është që deri në fund të shtatorit të kemi zgjidhje optimale dhe që pjesën më të madhe të qenve endacak mos t’i kemi duke bredhur rrugëve të kryeqytetit”, theksoi Brestovci.

Ai tha se për adaptimin e tyre, është komisioni i ekspertëve, të cilët para se të bëhet adaptimi i qenve, dalin në teren dhe e shohin vendin ku do të adaptohen qentë dhe kushtet që janë paraparë edhe me rregulloren e AVUK-ut.

Teksa flet për rrjetin elektrik të ndriçimit në kryeqytet, ai tha se fatkeqësisht është problem.

“Fatkeqësisht e kemi një problem të tillë, mirëpo tani jemi në procedurë të përmbylljes së tenderëve që kanë të bëjnë edhe me mirëmbajtje të rrjetit elektrik, edhe me zgjerimin e rrjetit elektrik dhe posa t’i kemi procedurat e mbyllura, natyrisht që do të kemi një pamje edhe me ndryshe sa i përket elektrifikimit të kryeqytetit dhe hapësirave publike. Shpresojmë që kjo do të bëhet shumë shpejt”, ka thënë Brestovci. /eo