Me polemika mes avokatit Berisha dhe prokurorit Gashi ka vazhduar dëgjimi i dëshmitares në rastin e 400 kg kokainë

Dëshmitarja Mimoza Haxha, punëtore e kompanisë “MC Food”, ka vazhduar dëshminë e saj në rastin e 400 kg kokainë ku edhe në këtë seancë pati polemika mes mbrojtësit të të akuzuarit Izet Sheqiri, avokatit Besnik Berisha dhe prokurorit special Valdet Gashi.

“Në rastin e 400 kilogramëve kokainë të ardhur nga Brazili, të akuzuar janë pronari i kompanisë “MC FOOD”, Izet Sheqiri, dhe katër të tjerë, Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Rrahimi, Fehmi Bytyqi.

Dëshmitarja, duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Berisha deklaroi se përzgjedhja e rrugës nga Brazili në Durrës i përket kompanisë dhe linjës detare, në këtë rast MCS-së. Ndërsa, kompania “MC Food” merr përgjegjësinë e kontejnerit dhe shpenzimet vetëm në momentin kur ai dorëzohet në portin e Durrësit.

Haxha tha se në momentin që arrin kontejneri në portin e Durrësit, procedura është që të vazhdohet me pagesat e mallit, dhe me pas dërgohet konfirmim i pagesës të furnitori, duke shtuar se malli nuk lirohet pa marrë furnitori konfirmimin e pagesës.

Dëshmitarja tregoi se paguajnë edhe për skanimin e kontejnerit.

“A e keni ditë asokohe që kontejneri nuk ka hi në skanim edhe pse keni pagu për ketë qellim”, pyeti Berisha.

“Unë personalisht jo, nuk e di”, tha dëshmitarja.

E pyetur se pse kishte kërkuar fotografimin e bllombes së kontejnerit, dëshmitarja tha se ishte për shkak të parregullsive të fundit që kishin ndodhur.

Ajo u pyet për dëshminë në lidhje me parregullsitë të mallit, dhe nëse këto parregullsi lidhen më dy kontejnerët të hapur në Barcelonë.

“Kemi pas shumë parregullsi mirëpo disa prej tyre kanë qenë edhe këto që i ceket”, u përgjigj ajo në pyetjen e avokatit Berisha.

Haxha tha se përgjegjësinë për parregullsitë dhe kompensimet i ka marrë furnitori sipas marrëveshjes.

Dëshmitares iu prezantua një email në të cilin kompanisë i tregohej se ngarkesa ishte inspektuar në Barcelonë dhe kërkojnë nga kompania të paguhej kostoja e inspektimit.

“Emaili po me kujtohet si dhe përmbajtja e saj, kur na kanë informuar se kontejneri është inspektuar në Barcelone si dhe jemi pyetur se kush i merr përsipër shpenzimet e inspektimit. Në çdo rast që na drejtohet sa i përket inspektimit, shpenzimet duhet t’i merr përsipër furnitori e jo ne”, u shpreh ajo duke thënë se beson që edhe në këtë rast ka ndodhur kështu.

Dëshmitarja tha se me të pranuar njoftimin për problemin në Barcelonën nga linja detare, kanë dërguar email tek furnitori.

Ndërsa, për mallin e arritur në Durrës, asaj iu prezantuan disa fotografi nëse iu kujtohej se malli ende pa u hapur ishte i çrregullt. Me çka konfirmoi se i kujtoheshin fotografitë por nuk ka qenë fizikisht në hapjen e mallit.

Avokati Berisha paraprakisht duke pyetur dëshmitaren tha se “MC Food” ka refuzu me hap mallin në këta kontiniera sepse gjendja siç përshkruhet në email ka qenë si mos me keq dhe kanë kërkuar që ta shohin vetë.

Prokurori në shumë raste nuk u pajtua me pyetjet e avokatit Berisha, duke thënë se ky komentim ndikon në përgjigjen e dëshmitares.

“Prokuroria ka problem me të vërtetën andaj janë kundër secilit veprim që po e shpërfaqë të vërtetët”, u shpreh Berisha.

Prokurori tha se këto çfarë po i thotë avokati duhet t’i ruaj për fjalë përfundimtare dhe jo gjatë marrjes në pyetje të dëshmitares.

“Po aludohet, po tentohet që të bindet jo trupi gjykues por opinioni në fjalimet e tilla siç i dëgjuam se gjoja prokuroria ka dështuar në hetimin e këtij rasti, kjo s’është e vërtet është një trillim por megjithatë është bindje e avokatit, ai mendon kështu , se a ka arritur prokurori apo jo të vërtetoj këtë gjendje faktive për këtë do vendos ky trup gjykues. Ato çka u thanë nga avokati nuk janë asgjë tjetër vetëm se fakte që avokati duhet t’i paraqes në fjalën përfundimtare, e jo në momentin kur një dëshmitare është duke u marr në pyetje”, tha prokurori.

Paraprakisht, avokati Berisha e pyeti dëshmitaren se nëse MCS-ja është kompania që merret me transportin detar, për çka dëshmitarja tha se është e saktë, por kur u pyet nëse kjo kompani “nuk ka asnjë lidhje me Mc Food”, përveç lidhje kontraktuale, prokurori special, Valdet Gashi, e kundërshtoi duke thënë se avokati po bënë pyetje orientuese.

Për këtë Berisha u shpreh se në pyetjet tërthorazi mund të bëhen pyetje orientuese.

“Akoma nuk e ka mësu marrjen e tërthorta në pyetje dhe nuk e ka msu se parashtrimi i pyetjeve në mënyrë të tërthortë bëhet ekzaktesisht për të konfirmuar faktet dhe pyetjet parashtrohen gjithmonë me karakter udhëzues, (presje) atëherë sinqerisht kemi probleme bazike me njohjen e ligjit dhe procedurës, pikë”, u shpreh ai.

Prokurori kërkoi nga trupi gjykues që mos të lejojë që avokati të përdorë fjalor fyes në raport me profesionalizimin e prokurorit të Prokurorisë Speciale.

“Ne nuk kemi nevojë të dëgjojmë ligjërata nga askush e aq me pak nga avokati në rastin konkret se si duhet të zbatohet ligj se a e njohim ligjin apo nuk e njohim”, u shpreh tutje prokurori.

Berisha në anën tjetër, tha se nga prokurori për të akuzuarit thuhen fjalët si “kriminel”, “grup i organizuar kriminal” etj, ndërsa tha se nuk i ndalohet askund të shpreh habinë e tij se nuk kanë mësuar se si bëhen pyetjet tërthorazi orientuese.

Trupi gjykues ndaloi ketë pyetje duke kërkuar që palët të përmbahen në deklarime.

“Ndalohen pyetjet udhëzuese dhe pyetjet e papërshtatshme, as prokurori nuk ka te drejte me quajt me ato terma, as ju me vleresu diturinë e Prokurorisë Speciale”, vendosi trupi gjykues.

Avokati Berisha u ankua për kohëzgjatjen e këtij procesi, duke thënë se kryetari i trupit gjykues Musa Konxheli do shkojë në pension.

“Edhe nja 1 muaj e 100 euro t’i japin në zarfe”, tha ai duke aluduar në pensionin nga shteti për gjyqtarin.

Kjo deklaratë e avokatit Besnik Berisha drejtuar kryetarit të trupit gjykues, bëri që prokurori special të reagojë dhe kërkoj sqarime.

“…do t’ia jep 100 euro në zarf…vetëm me pas një sqarim, se çka nënkupton, nëse nuk është shkru diçka tjetër në procesverbal”, tha ndër të tjera ai.

“Unë marr pare nuk jap, bile marrë shumë, goxha. E dyta unë iu referova pensionimit të një gjyqtari në ditën kur del, e treta nëse prokurorit i ka bo përshtypje me e ditë a thash ua jap juve 100 euro, prokuroi e dinë që do kolegë të tij nuk janë korruptu me nga 100, kanë marrë pak ma shumë”, vazhdoi në anën tjetër Berisha.

Krejt në fund të seancës, avokati Berisha kërkoi që Izet Sheqiri, dhe Faton Vrajolli, të lirohen nga paraburgimi dhe t’iu caktohet një mase me e butë.

Ai tha se i mbrojturi i ti Izetj Sheqiri ofron gjithë pasurinë dhe kapitalin e tij si garancion. me kërkesën për lirim nga paraburgimi u pajtua edhe mbrotjsja e Vrajollit.

Ky propozim u kundërshtua nga prokurori i rasti si dhe dërsa edhe trupi gjykues refuzoi ketë kërkesë.

Bashkë me pesë të akuzuarit, në këtë rast akuzoheshin edhe Hyzri Sheqiri dhe Naim Morina, por pas arritjes së marrëveshjes për pranimin e fajësisë çështja penale ndaj tyre ishte veçuar.

Ndryshe, i akuzuari Hyzri Sheqiri pas arritjes së marrëveshjes për pranim fajësie me Prokurorinë, është dënuar me 7 muaj burgim efektiv për pengim të procedurës penale. Kurse, i akuzuari Naim Morina pas arritjes së marrëveshjes për pranim fajësie, është dënuar me 6 muaj burgim efektiv për pengim të procedurës penale.

Në këtë shqyrtim gjyqësor kishte ndryshuar trupi gjykues, ku gjyqtari Arben Hoti është ndërruar me gjyqtarin Valon Kurtaj.

Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), për rastin e sekuestrimit të 400 kilogramëve kokainë, të akuzuar janë pronari i kompanisë “MC FOOD”, Izet Sheqiri, dhe gjashtë të tjerë, Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Rrahimi, Fehmi Bytyqi, Hyzri Sheqiri dhe Naim Morina.

Ndryshe, për dosjen e Prokurorisë lidhur me këtë rast, ku akuzohet pronari i kompanisë “MC FOOD”, Izet Sheqiri, si dhe Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Rrahimi, Fehmi Bytyqi, Hyzri Sheqiri dhe Naim Morina. /BetimipërDrejtësi