“I dëmshëm për sigurinë kombëtare”, Osmani paralajmëron padi ndaj Bedri Elezit

Këshilltari i presidentes Vjosa Osmani, Bekim Kupina, ka thënë se do të iniciohet padi nga presidentja Osmani për ekspertin e sigurisë, Bedri Elezi, i cili ka deklaruar se “presidentja Vjosa Osmani dyshohet se ka negociuar lejimin e largimit të anëtarëve BIA-s në rastin e Banjskës”.

Kupina ka thënë se kjo është gënjeshtër nga Elezi dhe deklarata të tilla sipas tij cenojnë edhe sigurinë kombëtare.

“Presidentja Osmani nuk ka negociuar për lirim të agjentëve të BIA-s, ndaj kjo është gënjeshtër e pastër e individit Bedri Elezi, për ç’gjë presidentja menjëherë do të përgatisë padi. Ky deklarim i pavërtetë dhe skandaloz, përbën shpifje të rëndë. Deklarime të tilla cenojnë jo vetëm kredibilitetin e shtetit, por edhe sigurinë kombëtare. Shpifjeve të tilla presidentja do t’u përgjigjet nëpërmjet rrugës ligjore”, shkroi Kupina në Facebook.

Presidentja Osmani ka ftuar policinë e Kosovës dhe prokurorinë që urgjentisht të ndërmarrin masa ndaj Elezit, pasi, siç thotë ajo, ka raporte të shumta të institucioneve të sigurisë, të cilat dëshmojnë aktivitetin e vazhdueshëm të individit Bedri Elezi në dëm të sigurisë kombëtare.

Sot Elezi për të parën e shtetit ka thënë se dyshohet që ka negociuar për lejimin e largimit të anëtarëve të BIA-s në rastin e Banjskës.

Ai ka përmendur edhe takime të mundshme mes Mimoza Kusari-Lilës dhe Millan Radoiçiqit.

“MIMOZA KUSARI LILA dyshohet se ka pasur takime me dhe biseda me anëtarin e BIA-s serbe Millan Radoiçiq. A do të kemi veprime ndaj këtyre personave për veprën e spiunazhit?”, përfundoi ai.

Sipas Elezit, edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka pasur takime me Daniela Vujiçiqin, një zyrtare të dyshuar të BIA-s.

“DANIELA VUJIÇIQ dyshohej se ishte anëtare apo zyrtare e BIA-s, po ashtu dyshohet se në Shkup kishte pasur takime me zv.kryeministrin Besnik Bislimi”, tha ai.