Vdes Jeton Berisha, babai që u plagos bashkë me dy djemtë e tij para dy javësh në Pejë
Sot ka vdekur Jeton Berisha, njëri nga tri viktimat e tentim vrasjes së para disa javësh në Pejë.
Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi.
“Është lëshuar urdhri për obdukimin e viktimës nga prokurori i Shtetit”, ka thënë Nikçi.
Kujtojmë se tre persona u plagosën më 22 maj në qendër të Pejës, pas një mosmarrëveshjeje.
Të plagosur kishin mbetur Jeton Berisha, i cili ka vdekur sot në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe dy djemtë e tij, Jetnisi dhe Jetarti.
I dyshuar për këtë rast është Agron Gashi, të cilit Gjykata Themelore e Pejës, më 24 maj, ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji.