ZPS-ja për dëshmitarin e 72-të: Në qershor 1999 u rrah nga UÇK-ja në konviktet e Gjilanit

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 72-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar serbi, Zoran Stankoviq, i cili mban kodin W04824 në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Pyetjet për dëshmitarin i ka filluar përfaqësuesi i ZPS-së, Cezari Mihalçuk, i cili tha se dëshmitari është arrestuar në qershor të 1999 nga anëtarë të UÇK-së, të cilët e kanë rrahur dhe e kanë mbajtur të ndaluar së bashku me familjen e tij në ndërtesën e konvikteve në Gjilan, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Në qershor të vitit 1999 dëshmitari dhe familja e tij u ndaluan nga anëtarë të armatosur UÇK-së. Dëshmitari 04834 dhe një prej kushërinjve të tij, u morën, u rrahën dhe u fyen. Më pas u dërguan tek ndërtesa e konvikteve në Gjilan. Atje tek konvikti në Gjilan, dëshmitari 04824 u morën në pyetje dhe u rrahën. Ata u liruan pas disa orësh, por në të njëjtën ditë”, tha prokurori.

Dëshmitari tha se gjatë periudhës së luftës kishte punuar si roje shkolle në Gjilan.

“Është shkolla e mësuesve, shkollë pedagogjike. Rreth 200 metra nga fjetorja e studenteve në Gjilan”, tha dëshmitari duke mohuar se mbante armë në atë kohë.

Dëshmitari foli edhe për vëllain e tij për të cilin tha se quhet Igor. Ai tha se për arsye mjekësore nuk i kishte ardhur thirrja që të i bashkohet ushtrisë jugosllave.

“Për arsye mjekësore nuk mund të ishte në ushtri. Kishte një sëmundje të veshkave dhe vazhdon ta ketë”, tha ai duke mohuar se vëllai i tij kishte bërë shërbim të detyrueshëm ushtarak.

Stankoviqi gjithashtu tha se ai dhe vëllai i tij nuk e kishin kundërshtuar arrestimin nga anëtarët e UÇK-së.

Dëshmitari Stankoviq gjithashtu tha se në asnjë moment nuk iu dha mundësia që të kundërshtojnë mbajtjen e tyre në ndalim përpara ndonjë gjykatësi apo ndonjë zyrtari ligjor. Po ashti, ai tha se nuk iu dorëzua asnjë vendim për arrestimin, mbajtjen apo lirimin e tij.

Me kaq përfunduan pyetjet e prokurorit për të vazhduar më pas me mbrojtësen e viktimave përmes avokates Maria Radziejoqska.

U pranuan si prova materiale të gjitha deklaratat e dëshmitarit të dhëna më herët së bashku me materialet përcjellëse në të tri gjuhet (shqip, anglisht dhe serbisht).

Sipas kryetarit të trupit gjykues, dëshmia e këtij dëshmitari do të zgjasë rreth dy orë e që 30 minuta prej kësaj kohe janë paraparë për ZPS-në, 15 minuta për mbrojtjen e viktimave dhe rreth një orë e gjysmë për mbrojtjen e të akuzuarve.

Stankoviqi dëshminë e tij po e jep përmes videolidhjes.