Prokuroria paraqet kërkesën për paraburgimin e dy të dyshuarve për spiunazh

Prokuroria Speciale e Kosovës ka paraqitur kërkesën për paraburgim ndaj B.Sh. dhe M.Q., që po dyshohen për spiunazh.

Kërkesa është paraqitur te gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

“Kërkesën për caktimin e paraburgimit kjo prokurori e ka paraqitur, pasi ekziston dyshimi i bazuar se të njëjtët kanë kryer veprën penale: spiunazhi nga Neni 124, par. 3 të KPRK-së, ndërkaq i pandehuri M.Q. ka kryer edhe veprën tjetër penale: ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’, nga Neni 366, par. 1 i KPRK-së, si dhe ekziston dyshimi se të pandehurit kishin për t’i kryer veprat penale për të cilat dyshohen”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Dy të dyshuarit janë arrestuar në Ferizaj të martën. /Zëri