Gashi: Kurti i bëri dëme të mëdha Kosovës, tash po provon të ofrojë opsione për Asociacionin
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se Kosova e ka humbur mundësinë që ta shkruajë draftin për Asociacionin.
Shefi i deputetëve të LDK-së, e ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti, se pasi e ka parë çfarë dëmi i ka shkaktuar vendit, po provon të ofrojë opsione tjera.
“Kryeministri e ka bë dëmin për më shumë se 365 ditë Kosova është në sanksione pse nuk e ka bërë më herët. Tash pasi e ka bë dëmin e ofron një apo disa opsione. Kurti reagon merr vendime dhe veprime të cilat janë më të këqija të mundshme në këto vite me bisedimet me Serbinë. Marrëveshjet i zbaton me të këqija se ato paraprake. Kosova e ka humb mundësinë për të shkruar draftin është një dëm për Kosovën që mbetet me pasoja si ne aspektin e ndëshkimeve në formën e sanksioneve”, ka thënë Gashi.
Kurti, gjatë një interviste për mediat e Shqipërisë, ka thënë se emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, duhet ta dërgojë draftin për Asociacionin në Komisionin e Venecias.