Jep dorëheqje gjykatësi i Speciales, Nikola Giju

Gjykatësi i Dhomave të Specializuara në Hagë, Nicolas Guillou, ka dorëzuar dorëheqjen e tij të enjten, është njoftuar nga Dhomat e Specializuara.

Dorëheqja e gjykatësit vjen pasi ai u zgjodh gjykatës në Gjykatën Penale Ndërkombëtare.

“Kryetarja Trendafilova e përgëzoi gjykatësin Guillou për zgjedhjen dhe i shprehu mirënjohje të thellë për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në përmbushjen e mandatit të DHSK-së me, ndër të tjera, punën e tij si Gjykatës i Procedurës Paraprake dhe Gjykatës i Vetëm”, kanë njoftuar Dhomat e Specializuara.

Ndërkohë Dhomat e Specializuara kanë njoftuar edhe për emërimin e gjykatëses së re, francezes Marjorie Massellot.

“Më 6 qershor 2024, Autoriteti Emërues, gjeneralmajor Xhovani Pietro Barbano (Giovanni Pietro Barbano) emëroi gjykatësen Marjorie Masselot (Francë) në Regjistrin e Gjykatësve Ndërkombëtarë (Regjistri) në përputhje me nenin 28(4) të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Më të njëjtën ditë, gjykatësja Masselot bëri betimin solemn. Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), gjykatësja Ekaterina Trendafilova, e uroi përzemërsisht gjykatësen Masselot dhe deklaroi se pret me kënaqësi bashkëpunimin me të në DHSK”, u tha nga Specialja.