Bilqik: Që nga Banjska, Serbia humbi një pjesë të besueshmërisë së saj në sytë e partnerëve evropianë

Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Vlladimir Bilqik, deklaroi se Serbia ka ende shumë për të bërë në lidhje me anëtarësim në BE dhe beson se përparimi dhe mbështetja për Serbinë në një kuptim më të gjerë do të ishte më e lehtë nëse ajo do të merrej me çështjet e saj.

Në të njëjtën kohë, Bilqiku thotë se shpreson se dialogu do të vazhdojë.

“Ka një realitet të ri në dialog, së paku në letër, ka dritë në fund të tunelit se si do të përfundojë dialogu, por gjithashtu ekzistojnë edhe pengesa serioze, ka thënë Bilqiku në një intervistë për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug”.

Bilqiku gjithashtu ka thënë se “Asociacioni është e rëndësishëm nga perspektiva e BE-së dhe ajo që është e rëndësishme është se mund të shihet edhe në deklaratat e politikanëve evropianë”.

“Një çështje tjetër që duhet të zgjidhet janë ngjarjet në Banjskë. Ky nuk është fokusi për momentin, por çështja do të vazhdojë të ngrihet. Që nga ajo ngjarje, Serbia ka humbur një pjesë të besueshmërisë së saj në sytë e partnerëve të saj evropianë. Kjo mund të rikthehet me pjesëmarrje konstruktive në dialog, me mbylljen e rastit në Banjskë”, ka thënë ai.

Ai ka thënë gjithashtu se kapitulli 35 i negociatave për anëtarësim të Serbisë në BE është mënyra e vetme për t’i dhënë fund “pjesës së errët të historisë së rajonit”.

“E di që njerëzit janë të lodhur, por nëse shikoj dialogun katër, pesë vjetëve të kaluar, janë arritur shumë gjëra praktike që ishin të paimagjinueshme – targa, karta identiteti. Tani po flasim për vendime të mëdha dhe prandaj Kosova duhet të bëjë pjesën e saj, por ne kemi një realitet tjetër në dialog që nga vjeshta dhe priten përgjigje nga Serbia. Unë e shikoj nga perspektiva ime si politikan evropian – nëse dëshiron të ndihmosh një vend, duhet të kesh argumente në favor të atij vendi”, ka përfunduar Bilqiku.