Dokumente, kompjutera dhe armë - Policia tregon se ç’sekuestroi gjatë arrestimit të dy të dyshuarve për spiunazh

Muharrem Qerimi dhe Bedri Shabani u arrestuan të mërkurën nën dyshimin për spiunazh. Të njëjtët dyshohet se kanë bashkëpunuar me BIA-n serbe.

Lidhur me këtë rast Policia e Kosovës, përmes raportit 24-orësh, ka dhënë detaje të reja.

Policia bënë të ditur se hetimet kanë nisur qysh në vitin 2023 dhe se të mërkurën, më 5 qershor, kanë realizuar një aksion në dy lokacione në qytetin e Ferizajt.

“Ferizaj – Viti 2023: Policia e Kosovës në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe Prokurorinë Speciale, pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore lidhur me dyshimet për veprën penale ‘Spiunazhi’, më datë 05.06.2024 kanë realizuar operacion një policor për kontrollin e dy lokacioneve në qytetin e Ferizajt”, thuhet në raportin e Policisë.

Gjatë kontrollit në lokacionin e dy të dyshuarve meshkuj kosovarë, në cilësi të provave materiale, janë gjetur dhe sekuestruar dokumente të ndryshme, kompjutera, telefona, USB, DVR, kaseta, armë dhe municione, maska, gasmaska ushtarake, si dhe shumë dëshmi të tjera.

“Dy të dyshuarit janë arrestuar dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, ka njoftuar Policia.