Gërxhaliu: FMN-së i intereson stabiliteti bankar dhe financiar e jo zhvillimi ekonomik

Eksperti i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu, ka thënë se raporti i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar flet për stabilitetin financiar në vend dhe se rritja ekonomike e paraqitur në këtë raport nuk është shumë relevante.

Ish-kreu i OEK-ut ka ironizuar me këtë raport, duke thënë se i ngjasonte atij të shteteve më të zhvilluara.

Sipas tij, FMN-së i intereson më shumë stabiliteti bankar e jo zhvillimi ekonomik.

“E lexova raportin ndërkombëtar për Kosovën dhe të mos e kisha shiku dikun që shkruan Kosova, kisha menduar që ky është raport për Singaporin, Japoninë apo ndoshta edhe Zvicrën. Duhet të kuptohet që misioni primar i Fondit Monetar Ndërkombëtar është qe të përcjell stabilitetin bankar dhe financiar apo aspektin buxhetor dhe në këtë drejtim definitivisht nuk ka vërejtje, mirëpo rritja ekonomike 3.9 për qind është shumë relevante dhe e dyta duhet te këtë parasysh se si e menaxhojmë paranë publike, sa janë projekte qoftë në aspektin publik qoftë në atë privat dhe në këtë drejtim vetë fakti që kemi këtë periudhë inflatore, kemi ngrirje të pagave në administratën publike po edhe në sektorin privat besoj që një optimizëm i tillë është definitivisht i tepruar”, ka thënë Gërxhaliu për Ekonominë Online.

Tutje Gërxhaliu, ka thënë se nuk duhet te ketë optimizëm të madh nga raportet e tilla, pasi krahasimet e bëra janë në nivel të shteteve si Bangaladeshi.

“Po të ishte ashtu siç e paraqet Fondi Monetar Ndërkombëtar, atëherë lind pyetja pse ikin nga Kosova të rinjtë, pse ik biznesi nga Kosova dhe pse nuk po vijnë qytetarë të vendeve tjera për të jetuar në Kosovë pasi qenka kaq mirë siç e ilustron Fondi Monetar Ndërkombëtar. E di orientimin e tyre që e kanë. Në stabilitetin financiar dhe bankar, e di që marrin krahasime të ndryshme, zakonisht me vende të dobëta dhe kur e krahason Kosovën me Bangladeshin ose vende tjera vërtetë është mirë, nuk kemi arsye për eufori, nuk kemi arsye për optimizëm të madh, duhet punë, duhet partneritet dhe në veçanti Kosovës i duhet stabilitet politik. Nuk duhet të bimë pre e deklaratave të tilla sepse me të vërteta Kosova ka shumë më tepër sfida dhe ekonomia e Kosovës është para sfidave të mëdha se sa që mendon Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe institucione tjera sepse Kosovën e njohin më mirë e dinë ata që jetojnë në Kosovë se sa ata qe shkruajnë nga zyrat në vendet e ndryshme evropiane”, u shpreh ai.