Berisha: Arrestimi i të dyshuarve për spiunazh, veprim tendencioz i pushtetit për ta lënë nën hije skandalin e bisedave të Kusarit me Radoiçiqin
Ish-deputeti Zafir Berisha ka folur në lidhje me arrestimin e dy personave sot në Ferizaj, të cilët dyshohen për veprën penale “Spiunazhi”, e që dyshohet se ishin agjentë të rekrutuar nga BIA serbe.
Berisha tha se dyshon që arrestimi i dy qytetarëve për “spiunazh” ndodhi pikërisht në kohën kur kanë dalë bisedat telefonike në mes shefes së deputetëve të VV-së, Mimoza Kusari-Lila dhe terroristit Millan Radoiçiq.
“Kemi edhe në Serbi ku është arrestuar një serb si bashkëpunëtor i AKI-së. Por, te ne është pak më shqetësuese për arsye se ne vazhdojmë betejën me Serbinë në disa fusha dhe nuk mendoj që këta dy qytetarë janë të parët dhe të fundit”.
“Dyshoj që arrestimi për bashkëpunim me BIA-n serbe ndodhi në kohën kur shefja e grupit parlamentar të VV-së se po bashkëpunon me kriminelin Radoiçiq dhe ndoshta ky veprim ishte një tendencë e pushtetit për ta lënë nën hije skandalin e madh”, tha Berisha në Klan Kosova.
Më tej, Berisha tha se çështja e inteligjencës serbe në Kosovë nuk është ndalur që nga viti 1999 e këtej, teksa përmendi kapjen e tre zyrtarëve të BIA-s, të cilët sipas tij, tentonin t’i ftonin qytetarët e Kosovës për të folur për trafikim organesh nga ish-pjesëtarët e UÇK-së.
“Këto janë veprime politike. Nuk po besoj se ata dje e kanë kuptuar dhe dje i kanë arrestuar. Minimumi janë duke u përcjellë me vite të tëra. Me ligj, AKI-ja nuk arreston, por e njofton kryeministrin dhe presidenten”, tha ai.