Katër të vdekur dhe 23 të plagosur në një përplasje mes trenave në Republikën Çeke

Të paktën katër persona humbën jetën dhe 23 të tjerë u plagosën pasi një tren pasagjerësh u përplas me një tren mallrash në Republikën Çeke, njoftuan autoritetet të enjten.

Ministri i Brendshëm, Vit Rakusan tha se përplasja ndodhi të mërkurën në mbrëmje vonë në qytetin Pardubice - rreth 100 kilometra në lindje të Pragës.

Treni i udhëtarëve me shpejtësi të lartë i përkiste kompanisë private RegioJet.

Rakusan tha se asnjë nga të plagosurit nuk ishte në rrezik për jetë.

Ministri i Transportit, Martin Kupka tha se rruga kryesore midis Pragës dhe pjesës lindore të vendit duhej të mbyllej ndërsa autoritetet hetonin përplasjen.

"Ne nuk mund dhe nuk do të spekulojmë për shkakun e aksidentit", tha Kupka.

Kompania shtetërore e trenave, Hekurudhat Çeke tha se binarët mund të qëndrojnë të mbyllur për gjithë ditën "për shkak të shkallës së aksidentit".

Ekipet e shpëtimit thanë se më shumë se 300 pasagjerë ishin në trenin me shpejtësi të lartë që po shkonte për në qytetin e Kosice, në Sllovakinë lindore.

Të vdekurit nuk u identifikuan menjëherë.

Drejtuesit e të dy motorëve mbijetuan, tha agjencia lokale e lajmeve CTK.

Kryeministri Petr Fiala e quajti aksidentin një tragjedi të madhe dhe shprehu ngushëllimet e tij për familjet e të vdekurve. /Rel