Krasniqi fton bashkatdhetarët të marrin pjesë në zgjedhjet për Parlamentin Evropian
Nga 6 deri më 9 qershor në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, do të mbahet zgjedhjet për Parlamentin Evropian.
Me këtë rast, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka ftuar bashkatdhetarët që jetojnë në shtetet anëtare të BE-së që të marrin pjesë në këto zgjedhje.
“E kemi thënë disa herë se këto janë zgjedhje tepër të rëndësishme që do t’a përcaktojnë jo vetëm të ardhmen e Bashkimit Evropian, por edhe integrimin euro-atlantik të Kosovës”, ka shkruar Krasniqi, transmeton Zeri.info.
Shkrimi i plotë:
Të dashur bashkëqytetarë që jetoni në shtete anëtare të Bashkimit Evropian,
Siç e dini, nga 6 deri më 9 qershor mbahen zgjedhjet për Parlamentin Evropian.
E kemi thënë disa herë se këto janë zgjedhje tepër të rëndësishme që do t’a përcaktojnë jo vetëm të ardhmen e Bashkimit Evropian, por edhe integrimin euro-atlantik të Kosovës.
PDK është anëtare e Aleancës së Liberalëve dhe Demokratëve të Evropës - ALDE dhe duke e ditur që partitë anëtare të familjes sonë politike gjithmonë kanë qenë në përkrahje të plotë të lirisë, pavarësisë, shtetndërtimit dhe integrimit euro-atlantik të Kosovës, unë ju ftoj që në këto zgjedhje t’i mbështesni partitë tona simotra masivisht me votën tuaj.
Dilni dhe votoni. Votoni për një Evropë të sigurt që i ofron Kosovës një perspektivë të qartë për integrim.
Faleminderit për mbështetjen tuaj të vazhdueshme!