Prokuroria jep detaje për arrestimin e dy personave për spiunazh, janë shtetas kosovarë
Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi të mërkurën se janë arrestuar dy persona të dyshuar për “spiunazh”.
Në një njoftim për media, Prokuroria tha se dy shtetasit kosovarë u arrestuan të mërkurën pas një hetimi disamujor dhe se i ngarkon ata me veprën penale “Spiunazh”.
“Sot në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe AKI-në ka zhvilluar bastisje në dy lokacione të Kosovës dhe ka arrestuar dy persona me nënshtetësi kosovare, të dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘Spiunazhi’, nga Neni 124 i KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Ata janë ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit.
Prokuroria tha se ndaj tyre do t’i ndërmarrë “të gjitha veprimet e nevojshme hetimore”.
Nuk u dhanë hollësi të tjera rreth këtij rasti.