Vdes Aziz Makiqi, njëri prej hendbollistëve më të njohur nga Kosova
Ka vdekur Aziz Makiqi, ish-hendbollisti shumë i suksesshëm kosovar, ka njoftuar FHK-ja të mërkurën.
Makiqi ka bërë emër në hendboll derisa ishte lojtar i Trepçës së Mitrovicës e më pas te Borci i Ferizajt.
Ka luajtur për dy skuadrat e suksesshme kosovare në periudhën më të mirë të tyre, ndër të tjera edhe në ligën e parë federative të ish-Jugosllavisë.
Makiqi ka bërë karrierë edhe jashtë Kosovës. Ishte edhe në Bundesligën gjermane.
Në 35 vjetët e fundit ka jetuar jashtë Kosovës, përkatësisht në Kroaci. Ishte edhe trajner, por ka lënë gjurmë të pashlyeshme si lojtar.
Në kohën e tij, Makiqi ishte prej lojtarëve më të mirë në shtetin e dikurshëm federativ.
I lindur në Mitrovicë në vitin 1958, Makiqi u zhvillua te Trepça.
Karrierën e nisi në vitin 1974. Karrierë si lojtar ka bërë edhe në Austri e Itali, ndërsa si trajner punoi në Kroaci.