Ushtria libaneze thotë se një person i armatosur sulmoi ambasadën amerikane

Ushtria libaneze tha të mërkurën se një person i armatosur u përpoq të sulmojë ambasadën e Shteteve të Bashkuara (SHBA) në Bejrut, shkruan AP.

Ushtria libaneze tha në një deklaratë se ushtaria qëlloi sulmuesin, të cilin ata e përshkruan vetëm si shtetas sirian. Sulmuesi u dërgua në spital i plagosur.

Mediat lokale raportuan se të shtënat rreth misionit diplomatik amerikan në veri të Bejrutit zgjatën për gati gjysmë ore.

Ambasada amerikane tha se sulmi i mëngjesit në hyrje të ambasadës nuk shkaktoi viktima në stafin e tyre.

Motivet e sulmit nuk u bënë të ditura. Megjithatë, mediat libaneze kanë publikuar fotografi që duket se tregojnë një sulmues të gjakosur i veshur me një jelek të zi me fjalët "Shteti Islamik" të shkruara në arabisht dhe inicialet në anglisht "I" dhe "S".

Një zyrtar libanez i sigurisë, në kushte anonimiteti tha për Associated Press se kishte katër sulmues, duke përfshirë një që i çoi të armatosurit në vend dhe tre që sulmuan me armë zjarri.

Një sulmues u vra, një u arratis dhe i treti u plagos dhe u arrestua nga ushtria libaneze.

Ushtria libaneze tha se kishte dislokuar trupa rreth ambasadës dhe zonave përreth.

Në vitin 1983, një sulm vdekjeprurës me bombë në Ambasadën e SHBA-së në Bejrut vrau 63 persona. Për sulmin, zyrtarët amerikanë fajësojnë grupin militant libanez Hezbollah.

Pas atij sulmi, ambasada u zhvendos nga Bejruti qendror në veri të kryeqytetit.

Një tjetër sulm me bombë goditi vendndodhjen e re më 20 shtator 1984.

Në shtator 2023, forcat libaneze të sigurisë arrestuan një libanez që hapi zjarr në ambasadën e SHBA-së.

Në atë sulm nuk pati viktima.

Në tetor 2023, qindra protestues u përleshën me forcat libaneze të sigurisë në demonstrata pranë Ambasadës së SHBA-së, në mbështetje të popullit në Gazë dhe Hamasit - grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe Bashkimi Evropian - në luftën e tij me Izraelin. /Rel