Pasi Mbappe kaloi te Real Madridi, Laporta: Nuk është një lajm i mirë për ne, mirëpo nuk i frikësohemi

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta ka reaguar një ditë pas zyrtarizmit të Kylian Mbappes si lojtar i Real Madridit.

Ai ka thënë se ky “nuk është lajm i mirë si tifoz i Barcelonës”, por që nuk ia ka frikën.

 “Si tifoz i Barcelonës, nënshkrimi i Real Madridit me Mbappen nuk është një gjë e mirë për ne, mirëpo nuk i frikësohemi, sepse me këtë nënshkrim, edhe shumë probleme të tjera do të vijnë për Real Madridin”, tha ai.

Tutje, Laporta tha se më shumë i beson strategjisë së tij me akademinë e klubit, dhe premton se nuk do ta lëshojë këtë filozofi.

“Të jemi të sinqertë, më shumë e preferoj strategjinë tonë dhe besimin e saj ndaj talentëve të La Masias. Unë e respektoj rivalin, por do ta mbaj këtë filozofi”, përfundoi ai.

Mbappe ka nënshkruar kontratë me Real Madridin deri në verën e vitit 2029, me 15 milionë euro pagë vjetore.

Ndërkohë, Barcelona e zhytur në probleme financiare, ende nuk e ka regjistruar në La Liga trajnerin e saj të ri, Hansi Flick.