Jasharaj: Mësimdhënësit e kanë menduar një grevë prej një ore në fillim të vitit shkollor

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka thënë për Ekonomia Online se mësimdhënësit e kanë menduar një grevë njëorëshe me fillimin e vitit të ri shkollor.

Kreu i SBAShK-ut ka thënë se kjo kërkesë e tyre ka ardhur pasi Qeveria Kurti nuk i ka plotësuar kërkesat që i kanë shpalosur më 1 maj.

Si rrjedhojë, Jasharaj deklaroi se punëtorët e arsimit janë të pakënaqur.

“Ne shpesh i mbajmë mbledhjet online me kryetarët e nivelit komunal dhe të universiteteve sepse ata janë çdo ditë janë në shkollë dhe janë përditë në komunikim të vazhdueshëm me kryetarë të shoqatave, punëtorët e arsimit janë të pakënaqur dhe ata po kërkojnë ose dialog e zgjidhje të kërkesave ose të mendohet për veprime sindikale. Ajo që u debatua mbrëmë, ishte që të shohim bashkë me kolegët tanë që një orë që ende data nuk është caktuar, mos të jetë orë e rregullt mësimore por të jetë një orë e cila e shpreh mllefin, pakënaqësinë dhe me nxënësit të bisedohet dhe besoj se nxënësit mesazhin do ta dërgojnë pastaj në shtëpitë e tyre dhe kjo krejt bëhet që Qeveria ka mjaftë kohë dhe ne presim që të ulemi dhe të bisedojmë dhe t’i zgjidhim problemeve që i kemi”, ka thënë Jasharaj.

Ndonëse kanë mbetur edhe pak ditë deri në përfundim të vitit të ri shkollor, Jasharaj ka thënë se ky vit ka nisur keq, si shkak i vendimit për tekstet shkollore.

“Të themi të vërtetën, ky vit fatmirësisht nuk ishte i përcjellë me greva por filloi keq. Me një vendim të keq të zonjës Nagavci lidhur me tekstet shkollore. Kjo forma që e bëri për herë të parë e duket që ka lidhë inatin dhe do të vazhdojë edhe në vitin e ardhshëm shkollor, bëri që ky vit të fillojë me vështirësi. Shtatori kishte shkuar më shumë duke u sfiduar mësimdhënësit se a të fillojnë shpjegimin e njësive të reja apo çka të bëjnë, ngase ishin përballur me një situatë të re kur një pjesë e madhe e nxënësve nuk kishte arritur që në shtator t’i sigurojë tekstet shkollore dhe kjo pastaj vazhdojë edhe në muajin tetor. Ishte një vit goxha i nisur keq, goxha i vështirë, i mbyllur. Edhe pse ne jemi duke biseduar me kolegët tanë kudo, ata janë tepër të pakënaqur dhe tu them të vërtetën kemi pritur dialog, i cili ka munguar në tërësi dhe ky vit ka shkuar pa asnjë takim ndërmjet SBAShK-ut me zonjën Nagavci, edhe përkundër letrave”, u shpreh Jasharaj.