Qeveria në pritje të raportit të BE-së për heqjen e masave: Borrelli të konstatojë përmbushjen e kushteve
Kosova vazhdon të jetë nën masa sanksionuese nga Bashkimi Evropian, e gjithë kjo pas zhvillimeve që kishin ndodhur në komunat veriore.
Ndonëse, institucionet Kosovare përmbushën obligimet që u kërkuan pikërisht nga ndërkombëtarët përmes marrëveshjes së Bratislavës, të njëjtit ende nuk kanë marrë vendim për largimin e sanksioneve.
Nga Bashkimi Evropian ditë më parë deklaruan se Përfaqësuesi i Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, Josep Borrell është duke u marrë me një raport në lidhje me masat për Kosovën.
Sipas, Peter Stanos, vendimi për heqjen e masave, do të merret gjatë një mbledhje të Këshillit të Ministrave, ku do të jetë edhe raporti i hartuar nga Josep Borrell.
Kosova e quan të vonuar heqjen e masave nga BE
Udhëheqësit e shtetit, liderët politikë si dhe njohësit e çështjeve politike, në vazhdimësi kanë deklaruar se masat e vendosura ndaj Kosovës kanë qenë të padrejta, duke kërkuar edhe largimin e tyre.
Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, për Telegrafin u shpreh se masat duhet larguar, pasi Kosova ka përmbushur kushtet e vendosura, ku mes tyre ishte edhe mbajtja e zgjedhjeve në veri.
“Bashkimi Evropian duhet t’i largojë masat ndëshkuese e të padrejta ndaj Kosovës, teksa vendi ynë i ka përmbushur të gjitha kushtet e vendosura më herët, përmes marrëveshjes së Bratislavës. Me mbajtjen dhe përfundimin e procesit të votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në komunat e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, nuk ka më asnjë kuptim vazhdimi i mbajtjes së masave. Situata në terren për të cilën padrejtësisht u akuzua Kosova për eskalim, tashmë ka muaj që është deeskaluar”, u shpreh ai.
Kadiu mes tjerash pohoi se janë në pritje të raportit nga Josep Borrell, derisa tha se presin që në raport të konstatohet përmbushja e obligimeve nga Kosova.
“Mbetemi në pritje të raportit të Përfaqësuesit të Lartë të Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, në të cilin duhet të konstatohet përmbushja e obligimeve të marra nga autoritetet tona. Çfarëdo konstatimi i ndryshëm do të ishte i padrejtë, do të përbënte shtrembërim të zhvillimeve në terren dhe domosdoshmërisht keqpërdorim të njëanshëm dhe të pakuptimtë të masave nga ana e KE”, shtoi Kadiu.
Këshilltari i Bislimit, gjithashtu tha se tashmë veriu i është rikthyer normalitetit e çdo ditë po punohet në integrimin e komunitetit serb, përtej tentativave dhe qasjes destabilizuese të fqinjit tonë verior.
Ai përsëriti edhe një herë thirrjen për heqjen e masave sanksionuese.
“Heqja e masave e cila është tejet e vonuar, nuk duhet të shtyhet për më tej në dritën edhe të zgjedhjeve të ardhshme në institucionet e Bashkimit Evropian. Ripërsërisim thirrjen, për heqjen e tyre sa më parë”, nënvizoi Kadiu.
Ndryshe, mbajtja e procesit të votimit në veri kishte qenë ndër pikat kryesore në marrëveshjen e arritur në Bratislavë, që kishte për qëllim shtensionimin e situatës në veri.
Procesi i votimeve u konsiderua i dështuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pasi numri i votuesve ishte shumë i vogël, ku serbët bojkotuan procesin.
Si pasojë e dështimit të këtij procesi, kryetarët aktualë shqiptarë në këto komuna e kanë siguruar edhe një vit mandat, pasi një proces i njëjtë nuk do të mund të zhvillohet në 12 muajt e ardhshëm.