Ramadani i kërkon dorëheqjen e Mimoza Kusarit: Raportimi tek Radoiçiq është cenim i sigurisë kombëtare

Është publikuar një bisedë e shkurtër mes shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila dhe kriminelit serb Milan Radoiçiq.

Biseda më pak se një minutë ishte ndërmjetësuar nga Sllavko Simiq i Listës Serbe.

“Kolege, kemi ardhur te Milani, dëgjohu me të”, i thotë Simiq deputetes së LVV-së.

“Në rregull”, ia kthen Kusari-Lila.

“Alo, (vendase) zemlajke, a po nihemi?”, e pyet Milan Radoiçiqi.

“Po, po të dëgjoj”, ia kthen Kusari-Lila.

Radoiçiq: “Qysh je? Qysh po kalon?

Kusari-Lila: “Qe, qe në Kuvend i kam pasur disa takime. Tash u lirova, po shkoj në shtëpi”.

Ish inspektori i AKI-së Burim Ramadani, përmes një reagimi në Facebook, Ramadani ka thënë se ‘raportimi’ tek Radoiçiq është cenim i sigurisë kombëtare.

Kjo pasi theksoi se gati 4 vjet pasi Radoiçiqit i ishte bastisur banesa dhe rreth 7 muaj pasi ishte futur në Listë të Zezë, Kusari “dëgjohet me zë duke folur Radoiçiqin në telefon”, dhe duke i “raportuar” që sapo i përfundoi takimet në Kuvend.

Ramadani i ka kërkuar Kusari-Lilës që të japë dorëheqje dhe të rrëfehet për të gjitha detajet.

“…Madje, duke i “raportuar” që sapo i përfundoi takimet në Kuvend dhe, pasi që u lirua (nga obligimet) po shkon në shtëpi.  Pra, në pak sekonda që dëgjohet telefonata, ajo më shumë ishte Raportim për axhendën ditore të Mimozës!  Mimoza, dorëhiqu sot dhe rrëfeu për të gjitha detajet me saktësi”.

“Hapja rrugën Prokurorisë të bëjë punën pa presionin e pushtetit”, shkroi Ramadani.

Kjo bisedë telefonike është publikuar nga Nacionale. /telegrafi