Mbahen konsultimet politike mes Kosovës dhe Letonisë

Në Prishtinë u zhvilluan konsultimet politike në mes dy ministrive të punëve të jashtme të të dyja vendeve, nën udhëheqjen e Zëvendësministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Liza Gashi dhe Zëvendës Sekretarja e Shtetit për Çështje Evropiane, znj. Ingrïda Leverence.

Gjatë takimit u vlerësuan lartë marrëdhëniet e konsoliduara mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Letonisë.

Në kuadër të bashkëpunimit bilateral u diskutuan për mënyrat e përmirësimit dhe thellimit të marrëdhënieve në fusha të ndryshme, me fokus të veçantë tek bashkëpunimi ekonomik, në fushën e digjitalizimit, energjisë dhe teknologjisë, si dhe u shqyrtuan mundësitë për të zgjeruar bashkëpunimin përmes marrëveshjeve bilaterale dhe iniciativave e projekteve konkrete.

Sa i përket bashkëpunimit multilateral u trajtuan proceset integruese të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Me këtë rast, Zëvendësministrja Gashi, e falënderoi Republikën e Letonisë për përkrahjen e vazhdueshme për Kosovën në këto procese.

Zhvillimet e fundit rajonale dhe botërore ishin temë tjetër, ku u diskutua për ndikimin e tyre në rajonin e Evropës Juglindore, veçanërisht në aspektin e sigurisë.

Me këtë rast zëvendësministrja Gashi theksoi përkushtimin e Republikës së Kosovës për të qëndruar krah shteteve demokratike për të kontribuar në paqen rajonale dhe botërore. Po ashtu, ajo vlerësoi lartë angazhimin e delegacionit të Letonisë për të përkrahur Kosovën në projektet e saja, duke e forcuar më tej marrëdhënien miqësore dhe bashkëpunimin e frytshëm midis Republikës së Kosovës dhe Letonisë.

Në mbyllje të konsultimeve politike, dy palët shprehen bindjen se konsultimet e tilla janë thelbësore për zhvillimin e një partneriteti të qëndrueshëm dhe afatgjatë si dhe u dakorduan të mbajnë kontakte të vazhdueshme dhe të organizojnë takime për të siguruar realizimin e suksesshëm të projekteve të përbashkëta. /rtk