Gjykata e Beogradit ia cakton Tefik Mustafës paraburgimin prej 30 ditësh

Gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën e Lartë në Beograd, ia ka caktuar shtetasit të Kosovës, Tefik Mustafës, masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

“I pandehuri M.T është i akuzuar për kryerje të krimeve të luftës kundër popullatës civile, si bashkëkryes”, është thënë në vendim.

Sipas vendimit, masa e paraburgimit është caktuar për shkak të rrezikut të ikjes së të pandehurit.

Vendimi do të mund të apelohet pas tre ditëve të hyrjes në fuqi të vendimit, njofton Radio Evropa e Lirë.

Tefik Mustafa është arrestuar më 1 qershor nga autoritetet serbe, nën dyshimet për “krime lufte”.

Zëvendëskryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë më 1 qershor se Mustafa “anëtar i Ushtrisë Çlimtare të Kosovës, është përmendur nëpër deklarata të dëshmitarëve si pjesëmarrës në kidnapimin e zyrtarëve policorë, Goran Marinkoviq, Zhivojin Paviq dhe Predrag Millosheviq, më 19 qershor 1999 afër Llabjanit, në magjistralen Prishtinë-Gjilan, dhe më pas u janë zhdukur gjurmët”.

Ministria e Jashtme e Kosovës e ka konsideruar ndalimin e Mustafës si arbitrar dhe ka kërkuar ndihmën e faktorit ndërkombëtar për lirimin e tij.

Në tre vjetët e fundit, në Serbi janë arrestuar disa shtetas të Kosovës, për siç është thënë, dyshimet se kanë kryer krime gjatë luftës në Kosovë në periudhën 1998-99.

Më 17 prill të këtij viti, autoritetet serbe e kanë arrestuar shtetasin tjetër të Kosovës, Sadik Durakun, nën dyshimet e njëjta, në njërin prej pikëkalimeve kufitare Kosovë-Serbi.

Familjarët e tij i kanë hedhur poshtë akuzat, duke thënë se Duraku ka jetuar në Angli në atë periudhë, bashkë me familjen e tij.

Duraku është arrestuar në një vendkalim kufitar mes Kroacisë dhe Serbisë dhe një gjykatë serbe ia ka caktuar masën e paraburgimit po atë muaj.

Më herët gjatë vitit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka akuzuar Serbinë për, siç ka thënë ai, arrestime të padrejta, të qëllimshme dhe dashakeqe të qytetarëve të Kosovës. /telegrafi