Afganistani synon të vaksinojë miliona fëmijë kundër poliomielitit

Afganistani nisi një tjetër fushatë të vaksinimit kundër poliomielitit, e cila synon mbrojtjen e rreth 11.2 milionë fëmijëve nën moshën 5-vjeçare, tha të hënën Ministria e Shëndetësisë e talibanëve.

Fushata katërditore mbarëkombëtare – e dyta këtë vit – do t’i mbulojë 34 provincat e vendit, thuhet në deklaratë.

“Ne do të bëjmë çdo përpjekje dhe do t’i vazhdojmë fushatat e vaksinimit kundër poliomielitit, ashtu si dhe shërbimet plotësuese shëndetësore, derisa ta zhdukim poliomielitin nga Afganistani”, tha ministri Noor Jalal Jalali.

Ai u bëri thirrje dijetarëve fetarë, pleqve të komunitetit dhe prindërve që t’i luajnë rolet e tyre në luftën kundër kësaj sëmundjeje, që mund të çojë në paralizë dhe vdekje.

Në dhjetor, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se riatdhesimi i migrantëve afganë nga Pakistani fqinj, e ka rritur rrezikun e përhapjes së poliomielitit.

Që atëherë, Afganistani ka kryer disa runde vaksinimesh. /abcnews