Vazhdon debati për planin e lagjes “Kalabria”, Sveçla-Ramës: Kë e përfaqëson, ke mbetur me 5 asamblistë në sallë

Kuvendi komunal i Prishtinës po vazhdon seancën në të cilën është duke e shqyrtuar planin e lagjes “Kalabria”, të cilin një pjesë e opozitës, siç është PDK-ja, nuk po e mbështetë.

Asamblistja e PDK-së, Kumrije Shabani-Ramdani e ka pyetur kryetarin Rama, se si e kishte parë të arsyeshme që më shumë të ndërtohen hotele, se sa çerdhe e shkolla.

Mirëpo, ndaj kësaj pyetje, Rama ka thënë se aty mund të ndërtohen deri në 100 çerdhe dhe deri në 30 shkolla.

“Sot e kemi një sistem demokratik ku t’i mundesh me vendos a po e do me dërgu fëmijën në shkollim privat apo publik, nuk ka ma pak po me shumë shkolla çerdhe, qendra mjekësore, hapësirë të gjelbra, edhe prapë po e përsëris pse me ia ngrit vlerën një prone ku është stacioni i autobusëve, ne aty e kemi mundësinë për me ngrit koeficientit që të shpronësojmë për rrugën A, të krijojmë mundësinë t’i shpronësojmë edhe tjerat për të mirën e qytetit. Kumrie, e dëgjova që janë të ndara, por s’ka të indetifikar çka, çerdhe, shkollë a çka?”, ka thënë Rama.

Ndërsa, asamblisti i Vetëvendosjes, Arianit Beqiri tha se koeficienti 7 e rrezikon stacionin e autobusit të mos mbetet më si simbol i kryeqytetit, duke i përmendur periudhat ndërhistorike me të.

Por, Rama tha se ndërtesa afër stacionit mundet të transformohet në muze e galeri, mirëpo për stacion nuk i përmbush kushtet.

Ndërsa, shefi i asamblistëve të Vetëvendosjes, Gëzim Sveçla, i tha Ramës së ka mbetur me 5 asamblistë në sallë.

“Unë i përfaqësojë të gjithë asamblistët e VV-së, por t’i ke e përfaqëson, kush është me ty, 5 asamblistë i ke në sallë, e ke kryer, mos i blloko lagjet e banorët, s’ka punë tjera për ty, ke me mbet me këqyr lojna’, theksoi Sveçla.

Debati ende po vazhdon dhe nuk dihet nëse do të dalë për votim në këtë seancë apo jo. /eo