Deputetja e LVV-së: Krahas institucioneve, edhe shoqëria duhet të përkujdeset për viktimat e dhunës seksuale

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arjeta Fejza, thotë se i kanë kërkuar Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës që të ketë vëmendje për gjendjen emocionale të grave, të cilat kanë qenë viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Anëtarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut Barazi Gjinore, për Personat të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, ka thënë për Ekonominë Online se një barrë e madhe sa i përket kësaj i mbetet edhe shoqërisë kosovare që të kontribuojë në këtë aspekt.

“Është shumë e rëndësishme se përveç atyre kritereve formale që janë të domosdoshme, pra të ketë vazhdimisht vëmendje Komisioni për gjendjen emocionale të viktimës. Kjo është edhe kërkesa jonë, si Komision dhe sigurisht se këtë e kemi diskutuar në të gjitha takimet, mirëpo edhe në anën tjetër edhe ne si shoqëri mendoj që duhet të angazhohemi më shumë në këtë drejtim. Ne folëm edhe për mundësinë që në si institucione të marrim më shumë përgjegjësi dhe të angazhohemi më shumë, më saktë ne si Komision edhe njëherë shprehëm gatishmërinë që të bashkëpunojmë dhe të angazhohemi në mënyrë që të përkujdesemi për këtë kategori”, tha Fejza.

Deputetja e Vetëvendosjes shtoi se kanë vazhdimisht takime me organizata, të cilat punojnë me këto kategori dhe diskutojnë në hollësi për procesin që të zbatohet si duhet.

“Ne si Komision për të Drejtat e Njeriut, kemi pas takim edhe me organizatat të cilat janë edhe të licencuara, mirëpo edhe me ato që nuk janë të licencuara dhe që punojnë me këto kategori. Bashkë edhe me Komisionin kemi diskutuar në hollësi për procesin i cili ndodh qoftë intervistimit qoftë faza e dorëzimit të dokumenteve, qoftë i gjithë procesi”, tha ajo.

Një shtytje të madhe që i jepet Komisionit në trajtimin e këtyre rasteve më në detaje dhe në përgjithësi është edhe miratimi i protokollit.

“Që atëherë kur kemi pas këtë takim, akoma nuk ka qenë i miratuar protokolli, mirëpo tani që është i miratuar protokolli ne insistojmë që ai të zbatohet në përpikëri dhe sigurisht së thirrja kërkesa dhe obligimi në fakt përveç thirrjes dhe kërkesës tonë obligimi i Komisionit është që të jenë maksimalisht të kujdesshëm për gjendjen emocionale dhe nga raportimi që kemi marrë ata e kanë parasysh këtë element dhe sigurisht çfarëdo shqetësimi që ne e kemi si deputetë normalisht se e adresojmë te ta dhe kërkojmë përgjigje dhe informim se qysh ka shku procesi”, tha ajo.

Komisioni për të Drejtat e Njeriut Barazi Gjinore, për Personat të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione të hënën diskutoi me Komisionin Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës rreth numrit të aplikimeve për përfitimin e statusit të personit të dhunuar gjatë luftës.

Sipas kryetares së këtij Komisioni, Leonora Selmani, deri me tani janë dorëzuar 2 mijë e 83 aplikime, prej tyre 1650 janë pranuar.