Kontratat njëburimore, Bajrami akuzon qeverinë “Kurti” për shpenzime të dyshimta në KEK
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka deklaruar se është duke vazhduar korrupsioni me kontrata njëburimore nga ana e qeverisë “Kurti”.
Bajrami në një postim në profilin e saj zyrtar në rrjetin social Facebook ka shkruar se sipas Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, KEK-u ka nënshkruar kontratën e 16 të njëburimore me të njëjtën kompani.
“Sot, më 3 qershor 2024, sipas Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, Korporata Energjetike e Kosovës ka nënshkruar kontratën e 16-të njëburimore/pa publikim të njoftimit për kontratë me të njëjtën kompani. Pra negocim direkt 16 herë me kompaninë e njëjtë”, shkroi Bajrami.
Deputetja ka shtuar se me po të njëjtën kompani është nënshkruar edhe kontratë në vlerë 448 mijë e 251 euro, ndërsa sot u publikua kontrata tjetër në vlerë 443 mijë e 638 euro.
“Derisa të premten me po të njëjtën kompani është nënshkruar kontratë në vlerë 448, 251.13 euro, sot kontrata tjetër që u publikua nga KRPP-ja është në vlerë prej 443.638,00. D.m.th. për dy muaj (qershor-korrik) shërbime të sigurimit një kompani me kontratë njëburimore merr afër 900 mijë euro.
Ky është korrupsion serioz qeveritar. Artane Rizvanolli dhe Albin Kurti duhet të deklarohen për këto kontrata”, theksoi Bajrami.