Lufta kundër etheve hemorragjike, Malisheva dezinsekton zonat endemike

Komuna e Malishevës ka njoftuar se ka vazhduar me fazën e dezinsektimit kundër rriqrave.

“Në kudër të zbatimit të strategjisë nacionale për luftimin dhe parandalimin e etheve hemorragjike krime kongo (EHKK), përkatësisht marrjen e masave preventive, Komuna e Malishevës është duke vazhduar me dezinsektimin e zonave endemike”, thuhet në njoftim.

Dezinsektimi gjatë kësaj fundjave është zhvilluar në qytetin e Malishevës, përkatësisht hapësirat më të frekuentuara dhe periferia e qytetit, ndërsa dezinsektimi do të vazhdojë edhe ditët në vijim, në zonat e tjera.

“Shtabi komunal për menaxhimin e situatës me EHKK-në në Komunën e Malishevës, kërkon nga organet kompetente në nivel të vendit, që të marrin masat e nevojshme, sipas strategjisë nacionale për luftimin dhe parandalimin e EHKK, përkatësisht të bëhet repelimi i kafshëve, ndërsa Ministria e Shëndetësisë të aktivizoj Këshillin Ndërministror dhe të merret më seriozisht me menaxhimin e situatës me EHKK-në, jo vetëm në komunën e Malishevës”, thuhet tutje në njoftim.

Kujtojmë që në territorin e komunës së Malishevës, që nga paslufta e deri në vitin 2013, si pasojë e virusit që shkakton ethe hemorragjike, e që kryesisht bartet nga rriqra te njeriu, kanë humbur jetën 18 qytetarë. /Zëri