Si të mbroni lëkurën nga efektet negative të klorit të pishinës

Uji i pishinave përbën një rrezik për lëkurën. Ja se çfarë duhet të keni parasysh në këtë rast Siç të gjithë e dimë, klori është dezinfektuesi kryesor i ujit të pishinave.

Por, përveç veprimit të tij mbrojtës, kjo substancë mund të provokojë shqetësime të ndryshme në lëkurë. Sytë dhe buzët janë zonat më të ndjeshme të fytyrës dhe për këtë duhet të mbrohen me kujdesin më të madh nga efektet e substancave që gjenden në ujin e pishinave.

Irritimet në sy janë një shqetësim mjaft i shpeshtë i shkaktuar nga kontakti me klorin, ku simptomat kryesore janë djegia dhe skuqja.

Fëmijët, si për ndjeshmërinë e madhe ashtu edhe për kohën e kaluar në ujë, janë më të rrezikuarit. Por edhe të rriturit, nëse qëndrojnë shumë gjatë në ujë, mund të pësojnë pezmatim të lëkurës, sidomos nëse kanë një lëkurë të thatë dhe veçanërisht delikate. Këshilla është që të përdorni produkte specifike, që gjenden në farmaci. Por, në rast se vini re shqetësime më të mëdha të lëkurës, atëherë drejtojuni mjekut specialist.

Larja në pishinë: si të mbroheni nga rreziqet për shëndetin

Për ata që nuk kanë fatin të jetojnë në një qytet bregdetar, pishinat gjatë verës paraqesin shpëtimin e vetëm nga vapa e padurueshme. Por, nga ana tjetër, uji i pishinave në vetvete përmban substanca të rrezikshme për shëndetin. Këtë fakt e pohon një numër i madh specialistësh të higjienës. Sipas tyre, nëse nuk ndiqen një sërë rregullash nga pronarët dhe klientët e pishinave, rreziku për të marrë infeksione të llojeve të ndryshme është shumë i lartë.

Para së gjithash, nga uji i pishinave mund të shkaktohen probleme me veshët dhe shqetësime të ndryshme dermatologjike, si pasojë e baktereve që gjenden në ambiente johigjienike. Por në pishina jetojnë edhe mikroorganizma të tjerë, veçanërisht nëse uji është i vaktë. Një tjetër burim i përhapjes së këtyre mikroorganizmave janë edhe plagët. Ndaj ju nuk duhet të laheni asnjëherë në pishinë kur keni një plagë të hapur, sepse mund të infektoni ambientin, por edhe të përkeqësoni gjendjen tuaj.

Për të kapërcyer këto rreziqe, mjafton të ndiqni disa rregulla të thjeshta. Pikë së pari, kujdestarët e pishinave duhet të merren çdo ditë me pastrim e tyre, pa abuzuar me klorin, pasi siç e përmendëm më sipër ai është i dëmshëm për shëndetin. Pushuesit, nga ana e tyre, duhet të bëjnë gjithmonë dush përpara dhe pasi të futen në ujin e pishinave, sepse në vetvete, ky veprim heq 80% të florës bakteriale të përkohshme.

Domosdoshmëria e kapelës dhe e maskës së flokëve

Flokëve nuk u bën aspak mirë larja gjatë gjithë ditës në pishinë, sepse rrezet e diellit dhe klori i thajnë dhe u zbeh pigmentin, ndërkohë më të rrezikuar janë flokët e lyer. Përveç kësaj, klori (i cili është i domosdoshëm në ujin e pishinës për dezinfektim dhe mbrojtje nga sëmundjet e lëkurës) e dëmton në thellësi strukturën e flokëve. Nëse nuk dëshironi të mbani kapelë për larje, para se të hyni në pishinë, në flokët tuaj vendosni pak vaj për mbrojtje që bllokon veprimin e dëmshëm të diellit dhe klorit. Mund të vendosni edhe maskë mbrojtëse, pasi jeni larë.

Më të zbehtë, për shkak të klorit

Klori nuk u bën dëm vetëm flokëve, por ai than edhe lëkurën e trupit. Prandaj, pasi të keni kaluar një ditë të tërë në pishinë, pas banjës që do të bëni në shtëpi, lyeni trupin tuaj me qumësht hidratues për lëkurë. Ndoshta nuk e dini, por klori është i rrezikshëm edhe për tonin tuaj të nxirë, sepse mund ta zbehë ngjyrën e errët, të cilën e keni fituar nga ekspozimi në plazh. Ilaçi i vetëm është që pas çdo larjeje në pishinë, menjëherë të hyni në dush dhe gjatë ditës të përdorni preparate ujë-rezistuese për ekspozim.

Çfarë ndodh me melaninën kur shkoni në pishinë?

Nëse shkuarja në pishinë do të jetë ekspozimi juaj i parë i verës në diell, mos pritni shumë. Lëkura nën veprimin e rrezeve ultravjollcë prodhon melaninën, e cila është përgjegjëse për nxirjen e lëkurës, por prodhimi i saj fillon pas 48 ose 72 orësh që nga ekspozimi i parë në diell. Prandaj, që të mos digjeni, vendosni preparat për nxirje me faktor mbrojtës. Pas ekspozimit, lyejeni trupin me qumësht hidratues për trupin, me ekstrakt të aloe verës. Ai do të qetësojë skuqjen eventuale.
Ndiqini këto këshilla për t’u mbrojtur sa më mirë nga agjentët e rrezikshëm të ujit të pishinave dhe gjithashtu shijoni freskinë e ujit në këto ditë të nxehta.