Pse Italia, Franca e Kroacia po shesin shtëpi për një euro?
Një grua me origjinë nga Çikagoja është nga të fundit që kanë bërë një hap interesant.
Ajo është nga të fundit që ka vendosur të blejë një shtëpi në Itali, çmimi i së cilës nuk e kalon shumën një euro.
Megjithatë, asaj iu desh të shpenzonte mijëra euro të tjera, për ta transformuar atë në shtëpinë e saj të ëndrrave prej 450,000 eurosh.
Meredith Tabbone, 45 vjeçe, vendosi të bënte ofertë për një shtëpi një euro, pasi shoqja e saj i dërgoi një artikull në lidhje me skemën.
Skema evropiane e shtëpive do të thotë që njerëzit në mbarë botën mund të blejnë shtëpi për një euro të vetme, që është shumë larg nga çmimi mesatar i shitur prej 724,780 funtesh £ (rreth 850,000 euro) për një pronë në Londër, sipas Zoopla-s.
Por nuk është vetëm vendlindja e makaronave dhe picave ku është e disponueshme skema; shtëpitë në Francë dhe Kroaci më parë janë hedhur në treg për 1 euro ose më pak, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Por pse vende si Italia, Franca e Kroacia po shesin shtëpi për një euro?
Ka një arsye pse vendet evropiane po shesin shtëpi për kaq pak.
Në Saint-Amand-Montrond, një komunë në Francë, kjo është për shkak se qyteti po përpiqet të tërheqë më shumë banorë të përhershëm.
Aktualisht, pak më shumë se 9,000 njerëz jetojnë aty, kështu që është relativisht e qetë.
Ka pasur raste të ngjashme në Itali, ku vende si Taranto, Pettineo, Pratola Pelinga, Sant’Elia a Pianisi dhe Sambuca di Sicilia kanë ofruar skema të blerjes së shtëpive prej 1 € gjatë viteve të fundit.
Arsyet janë të njëjta si në Francë: të inkurajohen njerëzit, veçanërisht brezat e rinj, në zonën lokale “për të stabilizuar popullsinë”.
Dhe pavarësisht çmimit të ulët për blerje, aty ekzistojnë disa rregulla, të cilat mund të ndryshojnë midis qyteteve.
Por siç u pa me një skemë të fundit në Mussomeli në Sicili, Itali, blerësit duhej: të demonstronin aftësinë për të mbështetur shpenzimet për rinovimin e pronës; përgatitja e një projekti për rinovimin brenda një viti nga blerja; të fillojë punën brenda dy muajve nga lëshimi i lejes së ndërtimit; dhe të ofrojë një depozitë prej rreth 6 mijë euro që do ta humbnin nëse puna nuk do të vazhdonte brenda periudhës kohore trevjeçare.
Veç kësaj, meqenëse skema synon të tërheqë më shumë banorë të përhershëm, ideja është që ju do të kaloni pjesën më të madhe të kohës aty duke u integruar me komunitetin lokal.