Bajrami: Qeveritarët shpenzuan mesatarisht 8800 euro në ditë për ushqim dhe pije

Deputetja e Kuvendit nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se qeveria “Kurti” gjatë vitit të kaluar ka shpenzuar 3.2 milionë euro për dreka zyrtare, ose apo mesatarisht 8 mijë e 800 euro në ditë.

Bajrami për këto të dhëna i është referuar një raporti financiar të Ministrisë së Financave, ku sipas saj në këtë raport figuron se janë shpenzuar edhe 3.1 milionë euro për mobilie për zyre dhe 139 mijë euro për blerje të telefonave.

Ajo ndër të tjera këto shpenzime i ka quajtur “luks”, duke përmendur edhe një herë tenderët njëburimorë, të cilat sipas saj janë korrupsioni më i madh në qeverinë “Kurti”.

“Janë 240 milionë euro në tenderët e Qeverisë me nogociim të drejtpërdrejtë. Andaj përpos para drejtësisë, partia në pushtet duhet të japë llogari edhe para qytetarëve që po i varfëron çdo ditë. A ju kujtohet qysh mashtronin kur ishin në opozitë, thoshin: ‘nuk hipin ne në xhipa me xhama të zi”, shihni si kanë ndryshuar, metamorfozë e plotë”, shkroi Bajrami në profilin e saj zyrtar në Facebook. /Zëri