Szunyog: Anëtarësimi i Kosovës në KiE nuk varet nga BE-ja

Ambasadori i Zyrës së BE-së në Prishtinë, Tomas Szunyog, ka deklaruar se çështja e anëtarësimit në Këshillin e Evropës nuk varet nga Bashkimi Evropian, por nga shtetet anëtare të KiE-së, të cilat, sipas tij, vendosin kushtet që Kosova të bëhet anëtare.

Këto komente ai i bëri gjatë një vizite sot në Suharekë.

Szunyogu nuk ka dashur të komentojë nëse Asociacioni është kusht për hyrjen e Kosovës në organizatën evropiane.

“Nuk mund të flas për çështjen e Këshillit të Evropës. BE-ja nuk është anëtare e saj. Varet nga shtetet anëtare, të cilat duhet të vendosin çfarë kushtesh të vendosin që të bëhet anëtare”, tha ai.

Mospërfshirja e Kosovës në agjendën e KiE-së vjen pas letrës së tre liderëve evropianë dërguar kryeministrit Albin Kurti, përmes së cilës kërkohet Asociacioni si kusht për anëtarësimin e vendit në Këshillin e Evropës.

Kancelari gjerman Olaf Scholz, kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe presidenti francez Emmanuel Macron thanë në letër se “ekziston një rrezik real që pa progres vendimtar të Asociacionit, aplikimi i Kosovës në Këshillin e Evropës nuk do të marrë mbështetjen e mjaftueshme nga shtetet anëtare”. /eo