Pas shumë tentimeve, miratohet marrëveshja për burgjet me Danimarkën

Kuvendi i Kosovës ka miratuar Projektligjin për ratifikimin e traktatit ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e Institucionit Korrektues në Gjilan, me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze.

 

Me 86 vota për, 7 kundër dhe asnjë abstenim, deputetët ia dhanë dritën jeshile kësaj marrëveshjeje.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se nga kjo marrëveshje Kosova do të fitojë 15 milionë euro tarifë fikse në vit.

 

“Qëllimi i këtij traktati është forcimi i mëtutjeshëm i marrëdhënieve ekzistuese të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Danimarkës. Sipas traktatit, Kosova do të vërë në dispozicion kapacitetet e përshtatshme për 300 të burgosur të Danimarkës dhe rrjedhimisht Kosova do të përfitojë në këmbim tarifë vjetore fikse prej 15 milionë eurove dhe 6 milionë euro të tjera për energji të gjelbër”, tha Rizvanolli.

 

Kujtojmë se kjo marrëveshje kishte dështuar të miratohet në Kuvend në seancën e mbajtur para një jave.

Ndërkohë që Qeveria në mbledhjen e mbajtur të hënën e ka miratuar dhe përcjellë prapë për në Kuvend.

Ndërkaq sot kjo marrëveshje ka kaluar edhe në Komisionin për Legjislacion, raporton Zeri.info.

Ndërkohë me propozim të Vetëvendosjes në rend dite në seancën e së enjtes në Kuvend janë futur edhe Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes financiare për programin e parë për financimin e politikave zhvillimore për efektivitetin fiskal, konkurrueshmërinë dhe rritjen e gjelbër ndërmjet Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim dhe Projektligji për ratifikimin e amendamentit numër 2 të marrëveshjes financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programin IPA 2016. /Zëri