Stërnipi i Hasan Prishtinës: Nagavci më mirë të fokusohet në universitetin serb të veriut sesa në ndërrimin e emrin të UP-së

Është bërë bujë kohëve të fundit ndërrimi i emrit të Universitetit “Hasan Prishtina”. Lidhur me këtë kanë reaguar shumë deputetë e organizata kundrejt Ministrisë së Arsimit.

Lidhur me këtë ka folur stërnipi i Hasan Prishtinës, Mehmet Prishtina.

Ai thotë se më mirë është të merret me universitetin në Mitrovicë të Veriut, i cili vepron me planprogram të Serbisë sesa të fillojë një nismë mbrapsht për ndërrimin e emrit të Universitetin të Prishtinës.

“Mendoj se ndryshimet statusore në Universitetin e Prishtinës janë gjithmonë të nevojshme, por kanë filluar mbrapsht”, tha Prishtina në Klan Kosova.

“Tash një vit rektori i zgjedhur në mënyrë të paligjshme e kjo çështje është në Gjykatë të Apelit dhe sinqerisht kur i shoh këto nisma të mbrapshta e të dëmshme, që dëmtojnë procesin e memories sonë kolektive, trashëgimisë tonë kulturore, për t’i prekur ose hequr pas 10 ose 12 vjetësh emërtimet, siç është emri i Hasan Prishtinës, kryeministrit të tetë të Shqipërisë, i themeluesit të Shtetit Shqiptar, i çlirimtarit dhe jo vetëm, por ai ka qenë truri, ideologu i çlirimit të Kosovës”.

“Tani na vjen një rektor që është i kundërligjshëm, siç është Qerim Qerimi, me një propozim të nevojave të reformave, me argumentim se Universiteti i Prishtinës ka pësuar ndryshime dhe kjo po e dëmton arenën ndërkombëtare”.

“Ekziston edhe një universitet në Mitrovicë të Veriut, që vetëquhet Universiteti i Prishtinës, në fakt ai është universiteti serb, i cili punon me planprogram të Serbisë, është komplet ilegal dhe ky problem duhet të zgjidhet në vijën politike, domethënë është detyrë e Qeverisë, e ministres së Arsimit, e cila më shumë duhet të fokusohet në zgjidhjen e këtij problem sesa të fillojnë me një nismë të mbrapshtë”, deklaroi Prishtina.