Plagosja e tre personave në Pejë, arrestohet një i dyshuar

Një person është arrestuar lidhur me plagosjen e tre personave mbrëmë në Pejë.

Lajmin e ka konfirmuar prokurori Ersan Qavolli. Ai tha se i dyshuari është ndaluar për 48 orë.

“Po është arrestuar një person, i cili dyshohet për veprën penale ‘Dhënia e ndihmës pas kryerjes së veprës penale’. I njëjti është ndaluar për 48 orë”, ka thënë Qavolli për Telegrafin.

I dyshuari kryesor për plagosjen e mbrëmshme, Agron Gashi, ndodhet ende në kërkim nga ana e policisë.

Ai dyshohet për veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë”.

Në njoftimin për media nga Policia thuhet se i dyshuari Agron Gashi është recidivist i veprave penale.

“Personi i kërkuar është: Agron (Mentor) Gashi, i lindur më 19.11.2002, në Pejë. I pandehuri është i kërkuar për veprën penale ‘Vrasje e rëndë në tentativë’, e cila ka ndodhur më 22.05.2024, rreth orës 21:25, në rrugën ‘Bekim Berisha’ në Pejë, i dyshuari është recidivist i veprave penale”, thuhet në njoftim.