Policia në kërkim të Agron Gashit, të dyshuarit për plagosjen e mbrëmshme në Pejë

Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për arrestimin e Agron Mentor Gashit, i cili dyshohet për vrasje të rëndë në tentativë, që ndodhi të mërkurën në mbrëmje në Pejë.

Në njoftimin për media thuhet se i dyshuari është recidivist i veprave penale.

“Policia e Kosovës – Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, bazuar në ligj për publikimin e fotos me shënime të tjera të personit të kërkuar më autorizimin e Prokurorisë Themelore në Pejë, me qëllim lokalizimin dhe rrjedhimisht arrestimin e tij, lëshon: Kërkesë për bashkëpunim me qytetarët.

Personi i kërkuar është: Agron (Mentor) GASHI, i lindur me 19.11.2002 në Pejë. I pandehuri është i kërkuar për veprën penale ‘Vrasje e rëndë në tentativë’ e cila ka ndodhur më datë 22.05.2024 rreth orës 21:25, në rrugën Bekim Berisha, në Pejë, i dyshuari është recidivist i veprave penale”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personit të dyshuar të lajmërojë Policinë e Kosovës apo të lajmërohet në stacionin më të afërt policor.

Numrat e telefonit dhe adresat elektronike kontaktuese për të kontaktuar Policinë e Kosovës: – 192 dhe 080019999 (pa pagesë) – 039 432 327-Drejtoria Rajonale Pejë dhe e-mail adresa: info@kosovopolice.com.