Tre personat e plagosur në Pejë nisen për QKUK, njëri në gjendje të rëndë
Tre persona (familjarë mes vete), janë plagosur nga arma e zjarrit sonte në Pejë. Personi i dyshuar ndodhet në kërkim, teksa të plagosurit pas ndihmës mjekësore që kanë marrë në Spitalin e Pejës, janë nisur për QKUK –Prishtinë.
Zyra për Komunikim e Spitalit të Pejës konfirmoi për Gazetën Express se gjendja e njërit prej të plagosurve është e rëndë.
Spitali i Pejës, konfirmoi se të plagosurve i është dhënë ndihma e nevojshme mjekësore.
“Janë të pranuar tek ne personat, janë duke i ofruar ndihmën e nevojshme mjekësore, gjendja e njërit prej të plagosurve është e rëndë. Tre personat e plagosur janë nisur për në QKUK”, thuhet në përgjigjen e spitalit.
Ersan Qavolli, prokurori kujdestar në Prokurorinë Themelore të Pejës, tha se tre personat që u plagosën sonte në Pejë janë familjarë të afërt mes vete.
Personi i dyshuar për këtë ngjarje “ndodhet në kërkim intensiv”, tha prokurori Qavolli.
“Ka ndodh një tentim vrasje e rëndë, kemi dalë menjëherë ne vendin e ngjarjes bashkë me hetuesit, janë tre persona të plagosur dhe jemi në kërkim të personit të dyshuar”, tha prokurori Qavolli për Express.
Ai tha se policia ndodhet në vendin e ngjarjes dhe është duke i siguruar të gjitha provat.